Shqipëria Postuar më 14 Korrik 2026, 10:35

Punonjësit paguan 939 milionë euro për pensione/ 6-mujori 2026, rritje me 92 milionë euro. Cilat janë arsyet?

Nga Elisabeta Dosku

Punonjësit paguan 939 milionë euro për pensione/ 6-mujori 2026,

Buxheti i shtetit ka arkëtuar 93.9 miliardë lekë apo rreth 939 milionë euro në gjysmën e parë të vitit nga detyrimet që kanë paguar punonjësit në sektorin, privat, shtetëror si dhe të vetëpunësuarit në bujqësi për skemën e pensioneve.

Të dhënat zyrtare nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, tregojnë se për periudhën Janar-Qershor 2026, janë arkëtuar afro 9.2 miliardë lekë apo 92 milionë euro më shumë se e njëjta periudhë e një viti më parë. E shprehur në përqindje, rritja e të ardhurave regjistrohet në 10.9%.

Faktorët që kanë ndikuar në këtë perfomancë janë disa. Së pari është rritja e pagave në sektorin publik, ndjekur dhe nga sektori privat, duke bërë që paga mesatare në vend të rritet ndjeshëm duke arritur në nivelin e afro 1 mijë euro në muaj dhe si rrjedhim dhe pagesa e punonjësve për sigurime.

E dyta lidhet me reformën antiinformalitet, fokusuar kryesisht në nëndeklarimin e pagave, çka solli një rritje të deklarimeve dhe si rrjedhim dhe të të ardhurave të paguara nga kontributet.

Po ashtu, vendosja e pagave reference përgjatë këtij viti në sektorë si turizmi, ndërtimi dhe mjekësia, kanë sjellë një efekt direkt në rritjen e kontributeve dhe shëndoshjen e skemës.

Nga ana tjetër rritja e pagës minimale në shkallë vendi në 50 mijë lekë nga muaji Janar 2026 ka ndikuar në këtë drejtim duke bërë që të rritet dhe masa e kontributit të paguar.

Një faktor tjetër lidhet me rritjen e numrit të bizneseve të hapura në Shqipëri përgjatë vitit 2026 si dhe mirëadministrimi nga ana e administratës tatimore, që duket sikur po kompenson disi edhe mungesën e fuqisë punëtore në vend.

Pagesa minimale për kontribute të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore për individ është rreth 13.950 lekë në muaj.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat