Shqipëria Postuar më 14 Korrik 2026, 10:31

Qeveria merr më pak borxh nga tregu i brendshëm - Bonot e thesarit mbeten instrumenti kryesor i financimit, por emetimet ranë

Nga Ledina Elezi

Qeveria merr më pak borxh nga tregu i brendshëm - Bonot e thesarit

Ministria e Financave ka shitur 229 miliardë lekë tituj qeveritarë gjatë gjysmës së parë të këtij viti. Të dhënat tregojnë se qeveria ka nxjerrë në ankande 3.5 miliardë lekë bono thesari dhe obligacione më pak se në gjashtëmujorin e parë të vitit të kaluar. Kjo tregon se qeveria nuk ka pasur nevojë të marrë shumë borxh të brendshëm.

Bonot e thesarit rezultojnë të jenë instrumenti më i emetuar gjatë 2026, ndërsa janari dhe marsi kanë shënuar vlera rekord të emetimeve krahasuar me muajt e tjerë.

Shitja e titujve qeveritarë realizohet në tregun primar dhe sekondar. Në tregun primar, qeveria shet për herë të parë titujt dhe merr drejtpërdrejt paratë nga investitorët. Në këtë treg marrin pjesë kryesisht bankat tregtare, institucionet financiare dhe në disa raste edhe investitorë të tjerë institucionalë.

Pasi këta tituj janë blerë në tregun primar, ato mund të tregtohen më tej në tregun sekondar. Ky është tregu ku titujt e borxhit që janë emetuar më parë mund të blihen dhe shiten mes bankave, institucioneve financiare apo investitorëve të tjerë, pa përfshirë drejtpërdrejt qeverinë në transaksion.

Sipas një raporti të Ministrisë së Financave për muajin qershor, yield-i mesatar i ofertave konkurruese për bonot e thesarit 12-mujore në muajin qershor 2026 u përmbyll në nivelin 2.65%.

Për sa i përket tregut sekondar, nga bankat zhvilluese të tregut u realizuan 2 transaksione. Totali i tregtimit arriti vlerën 200 milionë lekë.

Nga ana tjetër, në Korrik 2026, Ministria e Financave planifikon të emetojë nëpërmjet 7 ankandeve 29.5 miliardë lekë, nga të cilat 9 miliardë lekë janë Bono Thesari dhe 20.5 miliardë lekë janë Obligacione.

 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat