Europa Postuar më 13 Korrik 2026, 12:36

BE miraton rregulla të reja për udhëtimet ajrore - Më shumë të drejta për pasagjerët. Ndryshimet, në fuqi në mesin e 2027

Nga Lidion Kulla

BE miraton rregulla të reja për udhëtimet ajrore - Më

Bashkimi Europian ka miratuar një paketë të re reformash për udhëtimet ajrore, që forcon të drejtat e pasagjerëve, duke sjellë ndryshime të rëndësishme në mënyrën e udhëtimit dhe trajtimin e kërkesave për kompensim. Rregullat e reja, të miratuara nga Këshilli Europian, pasi kishin marrë më herët edhe miratimin e Parlamentit, do të zbatohen për të gjitha fluturimet që nisen nga aeroportet e BE-së, si edhe për fluturimet që mbërrijnë në bllok, kur operohen nga kompani ajrore europiane. Ndryshimet pritet të hyjnë në fuqi në mesin e vitit 2027.

Fëmijët nën moshën 14 vjeç do të kenë të drejtën të ulen pranë prindërve pa pagesë shtesë, për rezervimin e vendit. E njëjta e drejtë do të vlejë edhe për gratë shtatzëna dhe personat me lëvizshmëri të kufizuar, të cilët do të mund të udhëtojnë pranë shoqëruesit të tyre pa tarifa shtesë.

Kompanitë ajrore do të detyrohen të korrigjojnë pa pagesë gabimet në emrat e pasagjerëve në bileta, ndërsa një tjetër ndryshim i rëndësishëm është detyrimi që linjat ajrore dhe platformat e rezervimeve të shfaqin çmimin e plotë të biletës, duke përfshirë edhe bagazhin e dorës, për ta bërë më të lehtë krahasimin e ofertave. Gjithashtu, pasagjerët që humbasin fluturimin e parë në një biletë vajtje-ardhje nuk do të humbasin më automatikisht të drejtën për të përdorur fluturimin e kthimit.

Sa i përket vonesave dhe anulimeve, rregullat bazë për kompensimin mbeten të pandryshuara. Pasagjerët do të vazhdojnë të kenë të drejtë kompensimi kur fluturimi vonohet të paktën tre orë dhe përgjegjësia bie mbi kompaninë ajrore. Megjithatë, linjat ajrore nuk do të mbajnë përgjegjësi për situata të shkaktuara nga moti i keq, fatkeqësitë natyrore, pasagjerët problematikë apo grevat e stafit të aeroporteve dhe shërbimeve tokësore.

Reformat synojnë gjithashtu ta bëjnë më të thjeshtë procesin e kërkesave për kompensim. Pasagjerët do të marrin informacion me shkrim për të drejtat e tyre brenda 96 orëve nga përfundimi i udhëtimit, do të kenë në dispozicion 9 muaj për të paraqitur kërkesën dhe kompanitë ajrore do të jenë të detyruara të paguajnë kompensimin ose të japin një përgjigje të arsyetuar brenda 30 ditëve. Në rast të ndërprerjes së udhëtimit, pasagjerët do të kenë gjithashtu të drejtën e ushqimit dhe pijeve sipas kohëzgjatjes së pritjes, si edhe akomodim në hotel dhe transport falas.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat