Shqipëria Postuar më 21 Maj 2026, 10:48

Shërbimet TIK do të klasifikohen sipas kompleksitetit - Marzhe të reja për shërbimet e sigurisë kibernetike në administratë

Nga Ernilda Luzi

Shërbimet TIK do të klasifikohen sipas kompleksitetit - Marzhe të

Këshilli i Ministrave ka miratuar vendimin “Për përcaktimin e rregullave për pagesat e shërbimeve të ofruara nga shoqëria “Albanian Digital Solution”, sh.a., ndaj institucioneve publike përfituese, duke vendosur kuadrin e ri për mënyrën e financimit të shërbimeve të teknologjisë së informacionit dhe sigurisë kibernetike në administratën publike.

Vendimi përcakton parimet, procedurat dhe metodologjinë për llogaritjen e pagesave që institucionet publike do të kryejnë ndaj shoqërisë “ADS”, sh.a., për shërbime si zhvillimi dhe mirëmbajtja e sistemeve elektronike, administrimi i infrastrukturave digjitale dhe implementimi i masave të sigurisë kibernetike.

Një pjesë e rëndësishme e vendimit lidhet me klasifikimin e shërbimeve sipas vlerës financiare dhe nivelit të kompleksitetit. Shërbimet do të ndahen në katër kategori, duke filluar nga projektet me vlerë deri në 50 milionë lekë, deri tek projektet që tejkalojnë vlerën e 350 milionë lekëve. Paralelisht, çdo shërbim do të klasifikohet edhe sipas kompleksitetit teknik dhe operacional, në nivele nga “i ulët” deri në “shumë i lartë”. Në bazë të këtij klasifikimi do të përcaktohet edhe marzhi operacional që do të aplikojë shoqëria “ADS”, sh.a. Sipas vendimit, kjo qasje synon të shmangë fitimet disproporcionale dhe të garantojë përdorim efikas të burimeve publike.

Një trajtim i veçantë parashikohet për shërbimet e sigurisë kibernetike. Për këto shërbime, kur ato përbëjnë objektin kryesor të kontratës ose ofrohen si shërbime të specializuara, do të aplikohet një marzh operacional fiks prej 20%. ky trajtim lidhet me natyrën shumë të specializuar të këtyre shërbimeve, nivelin e lartë të riskut operacional dhe kërkesat teknike që ato mbartin.

Sipas vendimit, pagesat nuk konsiderohen tarifa publike, por pagesa kontraktore për shërbime specifike TIK. Procedura e re parashikon që institucionet publike të paraqesin kërkesat fillimisht pranë Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI), e cila do të kryejë shqyrtimin paraprak dhe më pas do t’ia përcjellë kërkesën shoqërisë “ADS”, sh.a.

Kontratat ekzistuese për shërbimet TIK do të vijojnë sipas kushteve aktuale deri në përfundimin e tyre, ndërsa shërbimet e reja do të trajtohen sipas rregullave të reja të miratuara me këtë vendim.

Ndrysho madhesinë
Aa
Modaliteti i errët

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat