Shqipëria Postuar më 4 Maj 2026, 10:57

Rruga Kombinat-Ndroq-Plepa/ ARRSH planifikon dy tenderë për rikonstruksionin, fondi limit gati 3 mld lekë

Nga Ola Mitre

Rruga Kombinat-Ndroq-Plepa/ ARRSH planifikon dy tenderë për

Autoriteti Rrugor Shqiptar pritet të hapë dy procedura prokurimi për vijimin e rikonstruksionit të rrugës së vjetër Kombinat – Ndroq – Plepa, përkatësisht për lotin 2 dhe lotin 3 të këtij aksi rrugor.

Sipas të dhënave të publikuara, fondi limit për lotin 2 është rreth 1.13 mld lekë, ndërsa për lotin 3 arrin në rreth 1.46 mld lekë, me një total prej gati 3 mld lekë. Të dy procedurat janë planifikuar të zhvillohen gjatë këtij viti, ndërsa detajet mbi gjatësinë e segmenteve që do përfshijë secila prej tyre pritet të bëhen publike me hapjen e tenderëve.

Ndërkohë, për lotin 1 të këtij aksi, kontrata e punimeve është nënshkruar që në shtator të vitit 2024. Zbatues është bashkimi i operatorëve “Arifaj” dhe “Eurokos Holding”, me një vlerë prej 567.75 mln lekë, pa TVSH.

Rruga Kombinat – Ndroq – Plepa konsiderohet një aks i rëndësishëm lidhës mes Tiranës dhe zonave jugore të vendit, duke shërbyer si alternativë ndaj autostradës Tiranë – Durrës. Sipas dokumentacionit teknik, ky aks përshkon një zonë me densitet të lartë banimi dhe ka pësuar dëmtime të konsiderueshme në vite, çka ka ndikuar edhe në uljen e trafikut.

Ndërhyrja në këtë rrugë synon përmirësimin e kushteve të lëvizjes dhe rritjen e sigurisë rrugore, ndërkohë që zhvillohet paralelisht me zgjerimin e autosttradës Tiranë – Durrës. Në total aksi rrugor Kombinat - Ndroq – Plepa është i gjatë rreth 28 km.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat