Shqipëria Postuar më 2 Korrik 2026, 12:25

Rikonstruksioni i rrugës Kombinat - Ndroq - Plepa/ ARRSH hap tenderin për 4.35 km, në plan edhe loti 2 me vlerë 1.18 mld lekë

Nga Ola Mitre

Rikonstruksioni i rrugës Kombinat - Ndroq - Plepa/ ARRSH hap tenderin

Autoriteti Rrugor Shqiptar ka hapur procedurën e tenderimit për rikonstruksionin e lotit 3 të rrugës Kombinat – Ndroq – Plepa, duke vijuar zbatimin me faza të një prej akseve alternative që lidh Tiranën me zonat jugore të vendit.

Sipas dokumenteve të tenderit, fondi limit për këtë procedurë është rreth 1.36 mld lekë, ndërsa segmenti ka një gjatësi rreth 4.35 km.

Paralelisht, ARRSH ka parashikuar edhe hapjen e procedurës për lotin 2 të të njëjtit aks, me një fond të planifikuar prej rreth 1.18 mld lekësh, duke vijuar ndarjen e projektit në disa faza zbatimi.

Ndërkohë, për lotin 1 të rrugës Kombinat – Ndroq – Plepa, kontrata e punimeve është nënshkruar që në shtator të vitit 2024. Zbatues i saj është bashkimi i operatorëve “Arifaj” dhe “Eurokos Holding”, me një vlerë kontrate prej 567.75 mln lekësh, pa TVSH.

Rruga Kombinat – Ndroq – Plepa konsiderohet një aks i rëndësishëm lidhës mes Tiranës dhe jugut të vendit, duke shërbyer si alternativë ndaj autostradës Tiranë – Durrës. Sipas dokumentacionit teknik, segmenti përshkon një zonë me densitet të lartë banimi dhe ka pësuar dëmtime të konsiderueshme ndër vite, duke ndikuar edhe në uljen e fluksit të qarkullimit.

Ndërhyrja synon përmirësimin e kushteve të lëvizjes dhe rritjen e sigurisë rrugore në këtë rrugë. Në total, aksi Kombinat – Ndroq – Plepa ka një gjatësi prej rreth 28 kilometrash.

 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat