Shqipëria Postuar më 2 Korrik 2026, 12:21

Nënstacion i ri nëntokësor në Tiranë, 22.5 mln euro hua nga BERZH - Malaj: Investimi, pjesë e vizionit për një sistem energjetik modern

Nga Diamila Leka

Nënstacion i ri nëntokësor në Tiranë, 22.5 mln euro hua

Rritja e popullsisë, zhvillimi urban dhe investimet e reja në kryeqytet kanë shtuar kërkesën për energji elektrike. Për t’iu përgjigjur kësaj nevoje, OSHEE Group parashikon ndërtimin e një nënstacioni të ri në qendër të Tiranës.

Gjatë fjalës së tij në Kuvend, Ministri i Financave Petrit Malaj, deklaroi se projekti do të financohet nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, përmes një huaje me vlerë 22.5 milionë euro, për të cilën qeveria shqiptare do të vendosë garanci shtetërore.

“Ratifikimi i marrëveshjes së garancisë ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, mbështet më konkretisht financimin e projektit për ndërtimin e nënstacionit të ri 110/20 kV të në qendër të Tiranës nga Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike/OSHEE Group.  Ky investim është pjesë e vizionit të qeverisë për ndërtimin e një sistemi energjetik modern, inteligjent dhe të qëndrueshëm, të aftë për të mbështetur zhvillimin ekonomik dhe urbanizimin e shpejtë.Përmes zbatimit të këtij projekti, rrisim sigurinë e furnizimit me energji, përmirësimin cilësor të rrjetit, si dhe përgatisim sistemin për sfidat e dekadës së ardhshme.”

Huaja do të ketë një afat ripagimi prej 10 vitesh, ndërsa norma e interesit do të jetë e ndryshueshme, e përbërë nga Euribori gjashtëmujor dhe një marzh prej 1%.

“Falë reformave dhe investimeve të ndërmarra, humbjet në rrjet janë reduktuar nga rreth 45% (2013) në 16.9% (2025).  Ky është një progres i rëndësishëm, por jo i mjaftueshëm, pikërisht për këtë arsye duhet të vazhdojmë me investimet për modernizimin dhe digjitalizimin e rrjetit të shpërndarjes. Këtij angazhimi i shërben edhe investimi për të cilin po diskutojmë në këtë seancë. Sa i takon angazhimit në aspektin financiar, marrëveshja është ndërtuar mbi terma të favorshëm, si për OSHEE Group, ashtu edhe për qeverinë shqiptare. Huaja parashikohet në vlerën 22.5 milionë euro, me afat ripagese 10 vite, ndërsa norma e interesit është e ndryshueshme (Euribor 6-mujor dhe një marzh prej 1%).”

Ministri Malaj theksoi se ky projekt do të garantojë furnizim më të sigurt për Tiranën, do të rrisë fleksibilitetin e rrjetit, do të mbështesë integrimin e energjisë së rinovueshme dhe do ta afrojë më tej sistemin shqiptar me standardet e Bashkimit Europian.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat