Shqipëria Postuar më 2 Korrik 2026, 11:38

Pagesat me kartë, drejt tarifave më të ulëta - BSH propozon “tavan" për komisionet që bankat paguajnë për transaksionet me POS

Nga Ledina Elezi

Pagesat me kartë, drejt tarifave më të ulëta - BSH propozon

Blerjet me kartë bankare në Shqipëri mund të bëhen më të lira dhe më transparente për konsumatorët e bizneset. Banka e Shqipërisë ka publikuar për konsultim publik një projektrregullore që vendos kufij për tarifat e shkëmbimit, pra tarifat që bankat i paguajnë njëra-tjetrës sa herë kryhet një pagesë me kartë.

Kur një qytetar paguan me kartë në dyqan, në transaksion përfshihen banka që ka lëshuar kartën e qytetarit dhe banka që i ofron biznesit terminalin POS. Për çdo pagesë, banka e biznesit i paguan një tarifë bankës së klientit kur këto të fundit janë të ndryshme nga njëra-tjetra. Kjo tarifë shkëmbimi ndikon në mënyrë indirekte bizneset, për arsye se kur ata i paguajnë bankës komisionin e terminalit të POS, tek ajo kosto përfshihet edhe tarifa e shkëmbimit që bankat do i paguajnë njëra-tjetrës.

Me rregullat e reja, kjo tarifë nuk do të mund të jetë më e lartë se 0.2% e vlerës së transaksionit për kartat e debitit dhe 0.3% për kartat e kreditit.

Për shembull, nëse një qytetar kryen një blerje prej 10 mijë lekësh me kartë debiti, tarifa e shkëmbimit nuk do të mund të kalojë 20 lekë. Kjo shumë nuk paguhet drejtpërdrejt nga klienti, por është pjesë e kostos që biznesi paguan për pranimin e pagesës me kartë.

Projektrregullorja synon gjithashtu të rrisë transparencën. Bankat do të duhet t'u tregojnë bizneseve në mënyrë të detajuar se sa paguajnë për çdo lloj tarife në transaksionet me kartë. Nga ana tjetër, konsumatorët do të kenë më shumë mundësi zgjedhjeje në rastet kur karta e tyre mbështet më shumë se një skemë pagese.

Një tjetër ndryshim është se bizneset nuk do të jenë më të detyruara të pranojnë çdo lloj karte të së njëjtës skemë pagesash dhe do të kenë të drejtë t'i orientojnë klientët drejt mënyrës së pagesës që u kushton bizneseve më pak, duke respektuar rregullat për informimin e konsumatorit.

Sipas Bankës së Shqipërisë, këto ndryshime synojnë ta bëjnë tregun e pagesave me kartë më transparent, më konkurrues dhe më efikas, ndërsa njëkohësisht përafrojnë legjislacionin shqiptar me standardet e Bashkimit Evropian.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat