Shqipëria Postuar më 16 Prill 2026, 11:46

Qeveria, subvencionim të transportit publik - Reagimi, pas reduktimit me 40% të flotës së autobusëve. Operatorët: I kthehemi normalitetit

Nga Ola Mitre

Qeveria, subvencionim të transportit publik - Reagimi, pas reduktimit me

Një ditë pasi operatorët e transportit urban dhe interurban reduktuan me rreth 40% flotën e autobusëve në qarkullim, si reagim ndaj rritjes së çmimit të karburantit, qeveria ka sinjalizuar ndërhyrje me masa mbështetëse për sektorin.

Në një takim me përfaqësues të shoqatave të transportit, ministrat përgjegjës dhe drejtues vendorë, është diskutuar mundësia e subvencionimit të transportit publik, me qëllim rikthimin e shërbimit në normalitet. Përmes një postimi në rrjetet sociale, ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi bëri me dije se qeveria do ta subvencionojë, duke rikthyer në normalitet këtë shërbim të domosdoshëm për qytetarët.

Ndërkaq, burime nga sektori bëjnë me dije se është propozuar një skemë e përkohshme subvencioni, që mund të arrijë deri në 50 lekë/litër për një periudhë tre mujore, ndërsa paralelisht pritet të diskutohen edhe masa të tjera lehtësuese, përfshirë taksat dhe kostot fiskale që rëndojnë mbi operatorët. Po ashtu, bëhet me dije se është dakordësuar që transporti të kthehet në normalitet.

Kjo nuk do të jetë hera e parë që aplikohet një skemë kompensimi, pasi në vitin 2022, transporti publik u përfshi në Paketën e Rezistencës Sociale, një ndërhyrje direkte e qeverisë për të përballuar efektet e rritjes së kostove. Në atë kohë, u vendos që shoqëritë e transportit për linjat qytetase, rrethqytetase dhe ndërqytetase të kompensoheshin me 100 lekë/litër.

Efekti financiar i kësaj mase arriti në rreth 430 mln lekë, të përballuara nga fondi i kontigjencës i paketës së rezistencës sociale për vitin 2022.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat