Shqipëria Postuar më 14 Maj 2025, 12:40

Programi ekonomik i PS - Pagë minimale 500 euro dhe paqe fiskale për bizneset

Nga Ola Mitre

Programi ekonomik i PS - Pagë minimale 500 euro dhe paqe fiskale për

Vota e 11 majit përcaktoi se Partia Socialiste do të drejtojë vendin në 4 vitet e ardhshme, teksa programi ekonomik i prezantuar gjatë fushatës elektorale parashikon rritje pagash e pensionesh, pa ndryshuar regjismin fiskal.

Kështu, kjo parti nuk ka planifikuar ndryshim të taksimit të të ardhurave duke qëndruar te taksimi progresiv 0-23%, ndërsa premton rritje pagash e pensionesh. Paga mesatare në sektorin publik premtohet të shkojë në të paktën 1200 euro në Shqipërinë e vitit 2030, ndërsa paga mesatare duke përfshirë edhe sektorin privat do të jetë të paktën 1 mijë euro. Për mjekët është prezantuar ambicia për paga mesatare 2000 euro, ndërsa për mësuesit 1250 euro.

Po ashtu, në programin e PS parashikohet se duke filluar nga janari 2026, paga minimale do të jetë 500 euro. Për të kompensuar rritjen e kostove për sipërmarrjet premtohet lehtësia që gjatë 18 muajve pas pagës së parë të mos kenë asnjë detyrim tatimor mbi shtesën prej 100 eurosh.

Gjithashtu, ambicia e PS është që në 2030, pensioni mesatar të jetë 400 euro për të gjithë ata që kanë paguar sigurime të plota dhe për të gjithë të tjerët, të ketë një pension minimal që synohet të shkojë në 200 euro. Ndryshe nga rritja e pagës minimale, për rritjen e pensioneve programi nuk parashikon një vit konkret se kur parashikohet të realizohet. 

Për Partinë Socialiste, deri në 2029, Shqipëria do të vazhdojë të ketë zero taksë për biznesin e vogël. I pandryshuar do të mbetet edhe regjimi i taksës 15% për biznesin e madh, por për mandatin e katërt premtohet paqja fiskale, sipas së cilës për një periudhë 3-vjeçare, për çdo fitim shtesë që biznesi do të deklarojë mbi normën e rritjes ekonomike, do të tatohet vetëm 5%.

Në mbështetje të biznesit premtohet edhe mobilizimi i 2 mld euro kredi dhe garanci nëpërmjet Bankës së Shqipërisë dhe Bankës së Zhvillimit, me qëllim rritjen e prodhimit vendas.

Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat