Shqipëria Postuar më 17 Prill 2026, 13:54

Pika e daljes së gazit në Fier - TAP nis zbatimin e kontratës për ndërtimin, në fund i dorëzohet shtetit

Nga Ola Mitre

Pika e daljes së gazit në Fier - TAP nis zbatimin e kontratës

Gazsjellësi Trans Adriatik (TAP) ka hyrë në një fazë të re të zhvillimit të infrastrukturës së gazit në Shqipëri, duke nisur zbatimin e kontratës për ndërtimin e pikës së daljes së gazit në Fier.

Sipas të dhënave nga Enti Rregullator i Energjisë, që prej 2 qershorit 2025, TAP ka kaluar në fazën e ekzekutimit të kontratës për ndërtimin e stacionit të reduktimit dhe matjes së presionit në Fier (Fier South Facility). Ndërkohë që, sipas planifikimit, ndërtimi pritet të nisë në mesin e vitit 2026, ndërsa komisionimi dhe dorëzimi i objektit parashikohet të përfundojë në fund të vitit 2027.

Ky zhvillim vjen në zbatim të marrëveshjes së nënshkruar në vitin 2021 ndërmjet TAP AG dhe Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, për pikën e daljes së gazit në Fier, e cila parashikon që TAP të projektojë dhe ndërtojë infrastrukturën, për t’ia dorëzuar më pas shtetit shqiptar. Pas përfundimit, objekti do të jetë në pronësi dhe operim të plotë të vendit tonë.

Pika e daljes së gazit në Fier konsiderohet një nyje strategjike për sistemin energjetik të vendit, pasi krijon një lidhje direkte mes gazsjellësit TAP dhe infrastrukturës së ardhshme të shpërndarjes së gazit në Shqipëri. Ajo pritet të shërbejë si pikë hyrëse për furnizimin me gaz nga rajoni i Kaspikut, me kapacitet të zgjerueshëm dhe mundësi rrjedhjeje në dy drejtime.

Në nivel politik, projekti është cilësuar si një hap i rëndësishëm drejt gazifikimit të vendit dhe diversifikimit të burimeve energjetike. Autoritetet kanë theksuar se kjo infrastrukturë jo vetëm do të përmirësojë sigurinë e furnizimit me energji, por edhe do të forcojë rolin e Shqipërisë si nyje energjetike në Ballkanin Perëndimor.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat