Shqipëria Postuar më 27 Maj 2025, 13:43

Përmirësim i platformës së shërbimit konsullor online - Afati i zbatimit do të jetë 9 muaj, ndërsa fondi limit 205 mln lekë

Nga Hamit Yzeiraj

Përmirësim i platformës së shërbimit konsullor online -

Platforma “Shërbimi Konsullor Online”, pritet të përmirësohet dhe zgjerohet në mënyrë rrënjësore në muajt në vijim. Ky sistem i përdorur nga qytetarët shqiptarë në diasporë për të marrë shërbime konsullore do të kalojë në një version të ri, më modern dhe më të sigurt.

Projekti do të realizohet nga Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme, në bashkëpunim me Agjencinë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit. Fondi Limit për këtë prokurim do të jetë 205 milionë lekë. Qëllimi është rritja e cilësisë, shpejtësisë dhe transparencës në ofrimin e 36 shërbimeve konsullore online, si pajisja me pasaportë, vërtetime, apostilë apo dokumente gjyqësore.

Ndër risitë kryesore të platformës së re janë: integrimi me vulën digjitale, pagesa online përmes e-Albania, nënshkrimi elektronik në çdo hap të procesit dhe lëshimi i dokumenteve të verifikuara në mënyrë automatike.

Për të përballuar fluksin në rritje të aplikimeve, sistemi do të bazohet në teknologji të avancuara si “container orchestration”, që garantojnë funksionim të qëndrueshëm dhe fleksibilitet të lartë. Infrastruktura e re do të zhvendoset në datacenter-in qeveritar pranë AKSHI-t, për të rritur nivelin e sigurisë kibernetike.

Platforma ekzistuese, ndërtuar në vitin 2016, është aktualisht jashtë mbështetjes nga prodhuesit dhe përballet me kufizime teknike. Për këtë arsye, kontrata parashikon edhe përmirësimin e serverëve, ruajtjen e të dhënave, pajisje rezervë, firewall të rinj, dhe një plan të plotë trajnimi për përdoruesit.

Afati i zbatimit është 9 muaj, ndërsa mirëmbajtja do të zgjasë për 2 vite pas dorëzimit të sistemit.

Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat