Shqipëria Postuar më 18 Gusht 2026, 11:21

Më pak euro në banka, leku fiton terren - BSH: Përparon deeuroizimi. Kursi i këmbimit nxiti përdorimin e monedhës vendase

Nga Ledina Elezi

Më pak euro në banka, leku fiton terren - BSH: Përparon

Përdorimi i euros në sistemin financiar shqiptar ka pësuar rënie gjatë gjysmës së parë të këtij viti. Raporti më i fundit i Bankës së Shqipërisë mbi rezultatet e paketës së deeuroizimit tregon se pesha e depozitave dhe kredive në valutë ka vijuar të bjerë, ndërsa ekspozimet e pambrojtura ndaj rrezikut të kursit të këmbimit kanë shënuar gjithashtu përmirësim. Në të njëjtën kohë, sektori bankar ka ruajtur nivele të kënaqshme të likuiditetit në valutë, mbi kërkesat minimale rregullatore.

Ky përmirësim ka ardhur si rrjedhojë e rritjes më të shpejtë të aktivitetit në Lek. Rritja graduale e rolit të Lekut në kursime dhe financim ka reflektuar normat konkurruese të interesit dhe vijimin e forcimit të kursit të këmbimit. Pra, forcimi i Lekut ndaj euros e ka bërë më tërheqëse mbajtjen e kursimeve dhe marrjen e financimit në Lek, sidomos kur normat e interesit në Lek kanë qenë konkurruese.

Për ata që kanë të ardhura në Lek, kreditë në euro janë bërë relativisht më pak tërheqëse, pasi ekziston rreziku që një dobësim i ardhshëm i Lekut të rrisë barrën e kredisë në Lek. Ecuria e kursit të këmbimit është ndikuar nga hyrjet e larta valutore prej turizmit, dërgesave të emigrantëve dhe investimeve të huaja.

Në fund të gjashtëmujorit të parë të vitit 2026, raporti “depozita në valutë ndaj totalit të depozitave” u regjistrua në nivelin 50.9%. Përgjatë periudhës së analizuar, treguesi ka vijuar një prirje të lehtë rënëse, ndonëse niveli aktual prej 50.9% mbetet ende dukshëm mbi objektivin orientues prej 30%, duke treguar se ulja e përdorimit të Euros (dhe rritja e përdorimit të Lekut) në segmentin e depozitave ruan hapësirë të konsiderueshme.

Gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit 2026, raporti “kredi në valutë ndaj totalit të kredive” ka pësuar po ashtu rënie. Vlera e treguesit rezultoi 43.5% në fund të qershorit 2026, ose 0.7 pp më pak se në fund të dhjetorit 2025 dhe 1.8 pikë përqindje më pak se një vit më parë.

Paralelisht, edhe pesha e borxhit publik në valutë ka shënuar rënie në terma vjetorë.

Pavarësisht këtyre, niveli i euroizimit mbetet ende relativisht i lartë, veçanërisht në segmentin e depozitave dhe të kreditimit. Në këto kushte, procesi i deeuroizimit kërkon vijimësinë e masave ekzistuese dhe një qasje të qëndrueshme afatgjatë.

Shqipëria 18 Gusht Edel Strazimiri

Çfarë ka ndodhur sot në tregun valutor?

Dollari amerikan edhe pse ka regjistruar një rritje të lehtë të kuotës mëngjesin e kësaj të marte vijon të qëndrojë e dobët përballë monedhës vendase duke u......

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat