Analiza Postuar më 18 Gusht 2026, 11:46

Me kë po bën më shumë tregti Shqipëria? SHBA, Kosova dhe Greqia fitojnë terren në hartën e eksporteve

Nga Scan TV

Me kë po bën më shumë tregti Shqipëria? SHBA, Kosova

Eksportet shqiptare po gjejnë gjithnjë e më shumë hapësirë jashtë tregjeve tradicionale europiane tregojnë të dhënat e tregtisë së jashtme nga INSTAT. Në shtatë muajt e parë të vitit, ndërsa shitjet jashtë vendit u rritën me 6.7%, eksportet drejt vendeve të Bashkimit Europian ranë me 1.1%, të ndikuara edhe nga dobësimi i tregtisë me Italinë dhe Spanjën.

Në total, eksportet arritën në rreth 227 miliardë lekë, nga 212.8 miliardë një vit më parë. Italia mbetet destinacioni kryesor, por eksportet drejt saj ranë me 3.1%, në 88.4 miliardë lekë. Si rezultat, pesha e tregut italian zbriti nga rreth 42.9% në 38.9% të eksporteve totale.

Në kahun tjetër, Kosova forcoi pozicionin e dytë, me eksportet që u rritën me 14.7%, në 23.5 miliardë lekë. Greqia shënoi një rritje edhe më të fortë prej 21.5%, duke arritur në 17.4 miliardë lekë, ndërsa Gjermania u zgjerua me 12.6%.

Por lëvizja më e fortë vjen nga tregjet më të largëta. Eksportet drejt Shteteve të Bashkuara u rritën me 137.4%, duke arritur në 5.8 miliardë lekë, ndërsa ato drejt Kinës u zgjeruan me 66.4%, në 9.4 miliardë lekë. Rritje të fortë shënoi edhe Turqia, me 47.4%.

Në anën tjetër, Spanja vijoi të humbasë terren. Eksportet drejt saj ranë me 37.1%, nga 10.1 miliardë lekë në rreth 6.4 miliardë, duke e ulur ndjeshëm peshën e këtij tregu në eksportet shqiptare.

Ndryshimi duket edhe më qartë te pesha e Bashkimit Europian. Vendet e BE-së përthithën rreth 68.4% të eksporteve shqiptare, nga afro 73.8% një vit më parë, ndërsa eksportet drejt pjesës tjetër të botës u rritën me afro 29%.

Edhe në importe Kina vijoi të fitojë terren, me një rritje prej 22.9%, ndërsa blerjet nga SHBA u zgjeruan me 29.6%. Në total, importet arritën në 536.2 miliardë lekë, 4.2% më shumë se një vit më parë.

Shqipëria 18 Gusht Edel Strazimiri

Çfarë ka ndodhur sot në tregun valutor?

Dollari amerikan edhe pse ka regjistruar një rritje të lehtë të kuotës mëngjesin e kësaj të marte vijon të qëndrojë e dobët përballë monedhës vendase duke u......

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat