Shqipëria Postuar më 14 Korrik 2026, 14:13

Malaj takohet me drejtuesin e ri të BERZH-it në Shqipëri: Forcojmë bashkëpunimin për projekte strategjike

Nga SCAN TV

Malaj takohet me drejtuesin e ri të BERZH-it në Shqipëri:
Ministri i Financave, Petrit Malaj, priti në një takim Drejtorin e ri të Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim në Shqipëri, Hannes Takacs, i cili shoqërohej nga drejtuesja e deritanishme Ekaterina Solovova dhe përfaqësues të tjerë të institucionit.

Gjatë takimit u vlerësua partneriteti i qëndrueshëm ndërmjet Qeverisë Shqiptare dhe BERZH-it, si një nga institucionet financiare ndërkombëtare që ka dhënë një kontribut të rëndësishëm në financimin e projekteve strategjike për zhvillimin ekonomik të vendit.

Ministri Malaj shprehu vlerësimin për kontributin e dhënë nga Ekaterina Solovova gjatë ushtrimit të detyrës së saj në Shqipëri, duke vlerësuar bashkëpunimin e frytshëm të deritanishëm. Njëkohësisht, ai i uroi mirëseardhjen Hannes Takacs në detyrën e re, duke shprehur besimin se partneriteti ndërmjet Shqipërisë dhe BERZH-it do të vijojë të forcohet edhe më tej.

Ministri Malaj nënvizoi rolin e rëndësishëm të BERZH-it në financimin e projekteve me ndikim të drejtpërdrejtë në zhvillimin ekonomik dhe infrastrukturor të vendit, duke theksuar nevojën për thellimin e bashkëpunimit në sektorë prioritarë, në përputhje me objektivat e zhvillimit të qëndrueshëm dhe procesin e integrimit evropian të Shqipërisë.

Nga ana e tij, Drejtori i ri i BERZH-it, Hannes Takacs, rikonfirmoi angazhimin e institucionit për të vijuar mbështetjen ndaj Shqipërisë përmes financimit të projekteve që nxisin rritjen ekonomike, modernizimin e infrastrukturës, tranzicionin e gjelbër dhe zhvillimin e sektorit privat.

Takimi shërbeu gjithashtu për të diskutuar ecurinë e projekteve në zbatim, si dhe mundësitë për zgjerimin e bashkëpunimit në iniciativa të reja me interes të përbashkët.

BERZH ka qenë dhe mbetet një partner strategjik i Shqipërisë. Që prej vitit 1992, Banka ka angazhuar mbi 1.1 miliardë euro në financimin e projekteve në sektorët e transportit, energjisë, shërbimeve financiare dhe fusha të tjera prioritare, duke dhënë një kontribut të rëndësishëm në modernizimin e infrastrukturës dhe zhvillimin e qëndrueshëm të vendit.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat