Shqipëria Postuar më 20 Janar 2025, 14:03

Kredi me norma më të ulëta interesi - Spaho: Programi i BSH do të ndihmojë bizneset të vënë në jetë projektet e tyre

Nga Ledina Elezi

Kredi me norma më të ulëta interesi - Spaho: Programi i BSH do

Bizneset e vogla dhe të mesme, që zënë rreth 99% të totalit të ndërmarrjeve në Shqipëri, janë një nxitës kryesor i punësimit dhe rritjes ekonomike në vend. Pavarësisht se bankat raportojnë një rritje të kreditimit të këtij sektori gjatë tre viteve të fundit, të dhënat e Bankës Botërore tregojnë se Shqipëria renditet ende e fundit në rajon për kreditimin e bankave ndaj bizneseve.

Duke u nisur edhe nga nevoja e shtuar e bizneseve për financim, Banka e Shqipërisë ka miratuar së fundmi një program kreditimi për bizneset mikro, të vogla dhe të mesme, që synon t'i ofrojë atyre kredi me norma shumë të ulëta interesi. Por sa realisht do i ndihmojë ky program bizneset dhe çfarë përpjekjesh të tjera mund të ndërmerren për të rritur mbështetjen ndaj tyre?

“Rregullimi në nivel sistemik rrit nga një krah mundësinë për bankat për t'u dhënë më shumë kredi aktorëve në ekonominë shqiptare dhe nga ana tjetër rrit mundësinë që bizneset e vogla dhe të mesme t'i japin jetë projekteve të tyre dhe të investojnë vetë. Jo se deri më sot nuk janë dhënë kredi, por normat e interesit kanë qenë mjaft të larta, sepse të gjithë ato që janë kredi jo hiptekore, pra kur nuk kemi kolateral konkret, por kanë qenë kredi të tjera, qoftë për kapitalin qarkullues të ndërmarrjeve, qoftë për investime të reja, kanë pasur norma mjaft të larta”, u shpreh pedagogu Mateo Spaho.

Sipas Spahos, mbështetja e bizneseve duhet të vijojë, me qëllim që të rritet edhe konkurrueshmëria e tyre me bizneset evropiane.

“Ndihma për biznesin nuk është domosdoshmërisht ulje taksash, por është edhe më shumë një lloj zgjimi, me idenë që sot jemi në konkurrencë me të gjitha vendet e rajonit, ndihemi gjithnjë e më shumë pranë Bashkimit Evropian dhe si pasojë do të duhet të luajmë dhe të mësojmë të luajmë në të tjera fusha dhe në të tjera mjedise më të ndërlikuara, më konkurruese. Një tjetër element që do të ndihmonte të gjitha bizneset, jo vetëm ato të vogla, është ulja e borxhit publik nga ana e shtetit, sepse duhet të kuptojmë që normat e interesit në Shqipëri varen nga një element që është norma bazë e interesit të lekut që e vendos Banka e Shqipërisë, dy është norma e riskut”. 

Programi i Bankës së Shqipërisë pritet të zgjasë për një periudhë 5 vjeçare dhe do të mbështesë me kredi kryesisht bizneset që dëshirojnë të realizojnë investime në teknologji.

 

Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat