Shqipëria Postuar më 28 Qershor 2026, 10:41

Kabllot e internetit do të kalojnë nën tokë, Rama paralajmëron “Rilindjen Urbane 2.0”

Nga SCAN TV

Kabllot e internetit do të kalojnë nën tokë, Rama

Qeveria ka prezantuar një nismë për sistemimin e rrjeteve të komunikimit elektronik në qytete, e cila parashikon kalimin gradual të kabllove të internetit dhe shërbimeve të tjera në infrastrukturë nëntokësore.

Kryeministri Edi Rama deklaroi se ndërhyrja synon të eliminojë kabllot ajrore të vendosura në rrugë dhe lagje, si dhe të përmirësojë cilësinë dhe pamjen e hapësirave publike.

Sipas tij, projekti do të shënojë një kapitull të ri për infrastrukturën digjitale dhe do të shoqërohet me masa për unifikimin e elementeve të hapësirës urbane.

Rama njoftoi gjithashtu se gjatë muajit korrik do të prezantohet programi kombëtar “Rilindja Urbane 2.0”, i hartuar në bashkëpunim me njësitë e pushtetit vendor.

Programi pritet të përfshijë investime në sistemet e ujësjellës-kanalizimeve, transportin publik të gjelbër dhe krijimin e kapaciteteve të reja të parkimit.

Në plan parashikohet edhe rigjallërimi i zonave të vjetra industriale, zhvillimi i muzeve që promovojnë identitetet lokale dhe zgjerimi i mbështetjes për sipërmarrjet e reja dhe start-up-et.

Kryeministri theksoi se programi nuk do të mbështetet vetëm në financimin e investimeve, por edhe në forcimin e bashkëpunimit mes bashkive, komuniteteve dhe bizneseve.

Sipas tij, pushteti vendor do të duhet të angazhohet në mënyrë të vazhdueshme në zbatimin e projekteve dhe në rritjen e transparencës dhe informimit të qytetarëve.

Qeveria e konsideron “Rilindjen Urbane 2.0” pjesë të objektivit afatgjatë “Shqipëria 2030” dhe të përgatitjes së vendit për anëtarësimin në Bashkimin Europian.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat