Shqipëria Postuar më 9 Qershor 2026, 12:36

Ibrahimaj: Shqipëria ka nevojë për më shumë aftësi dhe inovacion për të mbetur konkurruese

Nga Edel Strazimiri

Ibrahimaj: Shqipëria ka nevojë për më shumë aftësi

Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, vuri theksin te rëndësia e investimit në kapitalin njerëzor gjatë Konferencës Kombëtare të Arsimit dhe Formimit Profesional 2026, ku u diskutua roli i aftësive profesionale në zhvillimin ekonomik dhe procesin e integrimit europian të vendit.

Në aktivitetin me temë “Aftësi 2030: Ndërtimi i një sistemi të qëndrueshëm të AFP-së në rrugën drejt integrimit europian”, ku morën pjesë përfaqësues të institucioneve shtetërore, biznesit dhe partnerëve ndërkombëtarë, Ibrahimaj deklaroi se ekonomia shqiptare po kalon një fazë transformimi, duke u orientuar drejt sektorëve me vlerë të shtuar, teknologjisë dhe inovacionit.

“Shqipëria nuk konkurron më si një ekonomi me kosto të ulët pune. Sot sfida jonë është të ndërtojmë aftësitë që kërkon tregu modern i punës dhe të investojmë tek njerëzit, pasi ky mbetet avantazhi më i rëndësishëm konkurrues që mund të ketë një vend”, u shpreh ministrja.

Ajo theksoi se zhvillimet ekonomike të viteve të fundit kanë sjellë kërkesa të reja për profesionistë të kualifikuar, veçanërisht në sektorë si teknologjia e informacionit, turizmi, energjia e rinovueshme, shërbimet financiare dhe ato profesionale.

Duke iu referuar treguesve ekonomikë, Ibrahimaj nënvizoi se Shqipëria ka regjistruar një rritje mesatare ekonomike prej rreth 4% në vit, ndërsa niveli i papunësisë ka zbritur në 8.3%, niveli më i ulët i regjistruar ndonjëherë në vend.

Ministrja prezantoi gjithashtu rezultatet e reformave në arsimin profesional, duke bërë të ditur se aktualisht mbi 17 mijë nxënës ndjekin studimet në 31 shkolla profesionale publike në të gjithë vendin. Sipas saj, pjesëmarrja në arsimin profesional ka arritur në 19.4% të arsimit të mesëm, nga 12.7% që ishte në vitin 2013.

Një tjetër tregues pozitiv, sipas Ibrahimajt, është rritja e punësueshmërisë së të diplomuarve në arsimin profesional, e cila ka arritur në 63%, krahasuar me 40% katër vite më parë.

Ajo vlerësoi gjithashtu zgjerimin e modelit të arsimit dual, i cili aktualisht zbatohet në 15 shkolla në bashkëpunim me 240 biznese, si dhe rezultatet e Programit Kombëtar të Kodimit, ku kanë përfituar trajnim mbi 2,500 persona.

Ministrja bëri të ditur se qeveria synon të zgjerojë më tej investimet në laboratorë modernë, programe të lidhura me inteligjencën artificiale dhe ekonominë e gjelbër, si dhe në qendrat multifunksionale të aftësive që do të mbështesin mësimin gjatë gjithë jetës.

“Zhvillimi i qëndrueshëm nuk matet vetëm me ritmet e rritjes ekonomike, por me mundësitë që krijojmë për qytetarët tanë që të mësojnë, të punojnë dhe të ndërtojnë të ardhmen e tyre në Shqipëri. Investimi në aftësi është investimi më i sigurt për të ardhmen e vendit”, përfundoi Ibrahimaj.

Në kuadër të vizionit “Aftësi 2030”, qeveria synon gjithashtu zbatimin e Garancisë Rinore në shkallë kombëtare, me objektivin për të përfshirë rreth 40 mijë të rinj deri në vitin 2032 në programe punësimi, formimi dhe kualifikimi profesional.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat