Shqipëria Postuar më 9 Qershor 2026, 11:24

Tirana zgjidhet mikpritëse e Asamblesë Vjetore të BERZH-it në 2028

Nga Edel Strazimiri

Tirana zgjidhet mikpritëse e Asamblesë Vjetore të BERZH-it

Tirana do të jetë qyteti pritës i Takimit Vjetor të Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) në vitin 2028, duke u kthyer në qendrën e diskutimeve ekonomike dhe financiare të rajonit dhe më gjerë.

Lajmi u konfirmua nga zëvendësministri i Financave, Endrit Yzeiraj, në përfundim të Asamblesë Vjetore të BERZH-it të mbajtur në Riga, ku u vendos që edicioni i vitit 2028 të zhvillohet në kryeqytetin shqiptar.

Sipas Yzeirajt, përzgjedhja e Tiranës për të organizuar këtë ngjarje prestigjioze përbën një tregues të besimit që institucionet financiare ndërkombëtare kanë ndaj Shqipërisë dhe progresit të saj ekonomik gjatë viteve të fundit.

Takimi vjetor i BERZH-it mbledh çdo vit drejtues të lartë të qeverive, institucioneve financiare ndërkombëtare, investitorë, përfaqësues të biznesit dhe partnerë zhvillimi nga dhjetëra vende, duke e shndërruar qytetin mikpritës në një pikë referimi për diskutimet mbi ekonominë, investimet dhe zhvillimin e qëndrueshëm.

BERZH mbetet një nga partnerët më të rëndësishëm financiarë të Shqipërisë. Që prej fillimit të aktivitetit në vend në vitin 1991, banka ka financuar projekte me një vlerë totale prej rreth 2.5 miliardë eurosh, të përqendruara kryesisht në sektorët e infrastrukturës, energjisë, financave dhe zhvillimit të sipërmarrjes private.

Ndër projektet strategjike ku BERZH ka një rol kyç përfshihet edhe modernizimi i rrjetit hekurudhor shqiptar, një investim që synon të përmirësojë lidhjet e transportit dhe integrimin e vendit me korridoret europiane.

Po ashtu, një pjesë e konsiderueshme e investimeve të BERZH-it në Shqipëri është fokusuar te sektori privat, duke ndihmuar bizneset vendase të rrisin produktivitetin, konkurrueshmërinë dhe përshtatjen me standardet e Bashkimit Europian.

Organizimi i Takimit Vjetor të BERZH-it në Tiranë në vitin 2028 pritet të sjellë vëmendje të shtuar ndërkombëtare për Shqipërinë, duke promovuar vendin si një destinacion tërheqës për investime, zhvillim ekonomik dhe bashkëpunim rajonal.

 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat