Shqipëria Postuar më 9 Qershor 2025, 11:00

Hekurudha Rrogozhinë-Vlorë-Aeroport - Lidhet kontrata 94.57 mln lekë për projektin e rehabilitimit dhe ndërtimin e degës së re

Nga Ola Mitre

Hekurudha Rrogozhinë-Vlorë-Aeroport - Lidhet kontrata 94.57 mln

Hekurudha Shqiptare ka nënshkruar kontratën me kompaninë fituese për projektimin e rehabilitimit të linjës hekurudhore Rrogozhinë–Vlorë dhe ndërtimin e një degëzimi të ri që do të lidhë qytetin e Vlorës me aeroportin ndërkombëtar të këtij qyteti.

Fituesja e tenderit ishte kompania austriake ILF Consulting Engineers Austria, e cila ofroi një çmim prej 78.81 milionë lekë, pa TVSH për hartimin e projekt-idesë, teksa kontrata përfundimtare ka një vlerë prej 94,572,000 lekë, duke përfshirë dhe TVSH-në. Procedura e prokurimit me një fond limit prej 95 milionë lekësh u hap në dhjetor të vitit të kaluar.

Sipas dokumenteve të tenderit, linja hekurudhore ekzistuese Rrogozhinë–Vlorë, me gjatësi 84.27 kilometra, funksionon aktualisht nën kapacitetin e saj optimal për shkak të infrastrukturës së amortizuar dhe nevojës për ndërhyrje të thella teknike. Ndërkohë që, kontrata përfshin edhe studimin për ndërtimin e një linje të re hekurudhore që do të lidhë qytetin e Vlorës me aeroportin që po ndërtohet.

Linja e re hekurudhore do të jetë elektrike dhe e projektuar për një shpejtësi deri në 120 kilometra në orë. Qëllimi është krijimi i një transporti të integruar midis hekurudhës dhe aeroportit, duke siguruar akses më të shpejtë, të sigurt dhe të qëndrueshëm për udhëtarët. Sipas Hekurudhës Shqiptare, ky projekt do të kontribuojë edhe në rritjen e sigurisë së lëvizjes dhe uljen e aksidenteve në rrugë.

 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat