Shqipëria Postuar më 18 Shtator 2025, 17:00

‘Evropia i ka dyert e hapura, Shqipëria të veprojë’, Eurodeputetët: Më shumë kujdes me fondet e BE-së

Nga Ledina Elezi

‘Evropia i ka dyert e hapura, Shqipëria të veprojë’,

Shqipëria vijon të ketë probleme me menaxhimin e fondeve dhe shpenzimin e parave të Bashkimit Evropian, ashtu si çdo vend tjetër kandidat, por nuk mohohet dot fakti se ka bërë progres në drejtim të sundimit të ligjit apo luftës kundër pastrimit të parave. Në konferencën e mbajtur për shtyp nga Anëtarët Eurodeputetë të Komitetit të Kontrollit Buxhetor të Parlamentit Evropian, mesazhi ishte i qartë, Evropa i ka tashmë dyert e hapura, megjithatë vendi ynë duhet sërish të punojë më shumë në luftën ndaj korrupsionit.

“Ne po shikojmë përpara për një bashkëpunim më të ngushtë. Shqipëria i ka dyert e hapura si asnjëherë më parë në historinë e Bashkimit Evropian dhe ju keni realisht shumë mbështetje për Bashkimin Evropian, por duhet që të veproni. Keni bërë një progres shumë të madh, por sërish po presim për hapin e fundit, të luftuarit kundër korrupsionit është shumë e rëndësishme. Ky është mesazhi për Shqipërinë dhe Malin e Zi”, tha Tomasz Stechowski eurodeputet, përfaqësues i të djthtës nga Çekia.  

Mali i Zi renditet pak më mirë se Shqipëria për sa i përket menaxhimit të fondeve, megjithatë priten rezultate më të prekshme nga dy vendet në tre vitet e ardhshme. Anëtari i Komitetit nënvizoi edhe nevojën e domosdoshmërisë së një reforme të pensioneve.

“Mund të përmend këtu shumë projekte ku nuk jemi të kënaqur me shpenzimin e parave, por shumë prej tyre hetohen nga OLAF. Mali i Zi mbetet një vend në krye, megjithatë të dy vendet kanë përparuar në kuadrin ligjor dhe institucional me standardet e BE-së, veçanërisht në sundimin e ligjit, luftën kundër krimit të organizuar, rikuperimin dhe konfiskimin e aseteve, si dhe në luftën kundër pastrimit të parave. Rruga nga miratimi i rregullave deri te ndërtimi i një kulture llogaridhënieje është e gjatë. Jemi të bindur se në dy ose tre vitet e ardhshme, Mali i Zi dhe Shqipëria do të tregojnë rezultate të prekshme duke i kushtuar burime zbatimit të ligjit, duke siguruar pavarësinë gjyqësore dhe të auditimit, si dhe duke mundësuar pjesëmarrjen e shoqërisë civile. Sot diskutuam për reformën e pensioneve. Pa reformën e pensioneve, shteti juaj do të ketë një problem të madh me buxhetin”, shtoi Stechowski.

Komiteti i Kontrollit Buxhetor është një komitet i Parlamentit Evropian, përgjegjës për t'u siguruar që paratë e taksapaguesve të BE-së shpenzohen mirë jo vetëm në shtetet anëtare, por edhe në vendet kandidate apo kudo në botë. Gjatë dy ose tre ditëve të fundit, anëtarët e komisionit kanë folur me autoritetet në Mal të Zi dhe Shqipëri lidhur me këto çështje.

 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat