Shqipëria Postuar më 11 Qershor 2026, 14:53

Dervishi kërkon trajtim të avancuar për vendet kandidate - Komisioni Evropian vlerëson reformat e Shqipërisë

Nga Edel Strazimiri

Dervishi kërkon trajtim të avancuar për vendet kandidate -

Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale, Besnik Dervishi, ngriti në nivel evropian çështjen e statusit të vendeve kandidate në procesin e transferimit të të dhënave personale, gjatë punimeve të Mbledhjes së 121-të Plenare të European Data Protection Board në Bruksel.

Gjatë diskutimit me Komisionerin Evropian për Demokracinë, Drejtësinë, Sundimin e Ligjit dhe Mbrojtjen e Konsumatorit, Michael McGrath, Dervishi prezantoi progresin e Shqipërisë në harmonizimin e legjislacionit kombëtar me standardet e Bashkimit Evropian në fushën e mbrojtjes së të dhënave personale.

Ai theksoi se Shqipëria ka miratuar një ligj të ri për mbrojtjen e të dhënave personale, plotësisht të harmonizuar me Rregulloren e Përgjithshme për Mbrojtjen e të Dhënave (GDPR) dhe Direktivën 2016/680 për autoritetet e zbatimit të ligjit. Gjithashtu, vendi disponon një autoritet mbikëqyrës të pavarur sipas standardeve evropiane dhe kontribuon që prej vitit 2016 në punën e EDPB-së në cilësinë e vëzhguesit.

Dervishi vuri në dukje se, pavarësisht nivelit të lartë të përafrimit me legjislacionin evropian, Shqipëria vijon të konsiderohet vend i tretë për qëllime të transferimit të të dhënave personale. Në këtë kuadër, ai kërkoi që progresi i vendeve kandidate të vlerësohet në mënyrë më objektive dhe në përputhje me nivelin e harmonizimit ligjor dhe institucional me acquis të Bashkimit Evropian.

Në përgjigjen e tij, Komisioneri McGrath vlerësoi progresin e Shqipërisë në përafrimin e legjislacionit me standardet evropiane për mbrojtjen e të dhënave personale. Ai theksoi se marrëdhënia mes Bashkimit Evropian dhe Shqipërisë në këtë fushë zhvillohet në kuadër të procesit të anëtarësimit në BE, i cili përfaqëson një nivel më të avancuar integrimi sesa një vendim i veçantë për përshtatshmërinë e transferimit të të dhënave (adequacy decision).

Sipas tij, transferimet e të dhënave personale mund të realizohen përmes mekanizmave dhe instrumenteve të parashikuara nga legjislacioni aktual evropian.

Gjatë mbledhjes plenare, pjesëmarrësit diskutuan gjithashtu zhvillimet më të fundit në fushën e mbrojtjes së të dhënave personale në Bashkimin Evropian, përfshirë anonimizimin e të dhënave, raportimin e shkeljeve të sigurisë, ndërveprimin mes GDPR-së dhe Aktit për Tregjet Digjitale, si dhe sfidat që lidhen me përdorimin e inteligjencës artificiale dhe teknologjive të reja.

Pjesëmarrja e Autoritetit Shqiptar në këto diskutime të nivelit të lartë konfirmon angazhimin e vazhdueshëm të Shqipërisë për përmbushjen e standardeve evropiane në mbrojtjen e të dhënave personale, si pjesë e procesit të integrimit në Bashkimin Evropian dhe forcimit të të drejtave themelore të qytetarëve.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat