Shqipëria Postuar më 14 Prill 2026, 15:50

Demo: Diaspora mund të bëhet aktor ndryshimi në territor duke investuar

Nga SCAN TV

Demo: Diaspora mund të bëhet aktor ndryshimi në
Ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, Ervin Demo u shpreh sot se me investimet e saj, diaspora mund të bëhet aktor ndryshimi në territor.

Gjatë punimeve të Samitit IV të Diasporës në Tiranë, Demo u shpreh se marrëdhënia me diasporën nuk mund të perceptohet thjesht dhe vetëm duke u bazuar te remitancat por mbi të gjitha tashmë diaspora mund të luajë një rol shumë aktiv sidomos në zbulimin e territorit.

Duke u ndalur te roli që luan diaspora në zhvillimin ekonomik, Demo theksoi se Shqipëria sot përcjell mundësi të jashtëzakonshme në çdo cep të saj.

“Aktualisht kemi një bum turistik. Këtë e tregon edhe fakti se kemi aeroportin më të madh në Ballkan, një tregues i vizitorëve që vijnë në vendin tonë. Dita-ditës po faktohet që shumë përfaqësues të diasporës po zgjedhin të investojnë në Shqipëri, madje edhe në fushën e pasurive të paluajtshme”, tha Demo.

Nisma e qeverisë për Paketën e Maleve, sipas tij, në kuadrin e zhvillimit rural në territor premton të adresojë zhvillimin rajonal, duke krijuar mundësi edhe për zona të caktuara që nuk kanë pasur zhvillim deri më sot.

Sipas tij, ka një interesim të jashtëzakonshëm nga shqiptarët që jetojnë jashtë që janë të gatshëm të investojnë atje ku kanë prejardhjen e  familjes.

“Zhvillimi rajonal është shumë i rëndësishëm edhe për sa i përket fuqizimit në territor  nëpërmjet bashkive. Tashmë Shqipëria ka kushtet e duhura për të ofruar garancitë e duhura për të zhvilluar sipërmarrjen”, u shpreh Demo.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat