Shqipëria Postuar më 27 Maj 2026, 11:43

Bordi i Transparencës cakton çmimet e reja të karburanteve

Nga Scan TV

Bordi i Transparencës cakton çmimet e reja të karburanteve

Bordi i Transparencës ka vendosur këtë të martë, 27 maj 2026, çmimet e reja tavan për tregtimin e karburanteve në vend. Sipas vendimit të marrë në mbledhjen e radhës, gazoili do të tregtohet me pakicë jo më shumë se 190 lekë për litër, ndërsa me shumicë jo më shumë se 178 lekë për litër.

Ndërkohë, çmimi tavan i benzinës është përcaktuar në 179 lekë për litër në shitjen me pakicë dhe 167 lekë për litër në shitjen me shumicë.

Bordi bëri të ditur se çmimet e reja hynë në fuqi sot, më 27 maj, në orën 13:30 dhe do të mbeten në fuqi deri në mbledhjen e ardhshme, ku do të reflektohen ndryshimet e mundshme të tregut.

Autoritetet u kanë tërhequr vëmendjen operatorëve të tregtimit me shumicë dhe pakicë për zbatimin e detyrueshëm të këtij vendimi, ndërsa paralajmërojnë se në rast shkeljesh do të aplikohet pezullimi i aktivitetit.

Në njoftim thuhet se Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit, Ministria e Financave dhe Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë mbeten të angazhuara për mbrojtjen e konsumatorëve dhe garantimin e konkurrencës së ndershme në treg.

Në një sqarim zyrtar, bëhet e ditur se çmimet aktuale janë nën kufijtë e përcaktuar sipas Aktit Normativ nr. 1, datë 3 prill 2026, niveli i akcizës reduktohet në 80% vetëm në rastet kur çmimi i gazoilit kalon 220 lekë për litër ose benzina 200 lekë për litër. Duke qenë se çmimet e vendosura aktualisht janë nën këto kufij, akciza do të vijojë të zbatohet e plotë, në masën 100%.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat