Shqipëria Postuar më 27 Maj 2026, 10:40

Kush përfiton nga fondi 52 milionë euro në bujqësi? Kriteret që skualifikojnë fermerët, afati i aplikimit deri më 26 Qershor

Nga Elisabeta Dosku

Kush përfiton nga fondi 52 milionë euro në bujqësi? Kriteret

Fermerët kanë nisur nga aplikimet për masat e mbështetjes direkte përmes Skemës Kombëtare në Bujqësi. Por kush përfiton dhe cilat janë kriteret përjashtuese?

Referuar udhëzimit të Ministrisë së Bujqësisë,  përfitues sipas masave mbështetëse mund të jenë fermerët individualë, personat fizikë, personat juridikë dhe Shoqëritë e Bashkëpunimit Bujqësor (SHBB).

Fermerët individualë duhet të jenë të pajisur me NIPT-in e fermerit me status aktiv, ndërsa SHBB-të, personat fizikë dhe juridikë të jenë të pajisur me NIPT/NUIS me status aktiv, sipas fushës së veprimtarisë që përfshin aktivitetin për të cilin aplikojnë.

Për masat mbështetëse 1-8, përfituesi me status fermer individual duhet të ketë bërë shlyerjen korente të sigurimeve shoqërore.  Faturat për masat mbështetëse direkte në përputhje me kriteret përkatëse, duhet të jenë të lëshuara gjatë periudhës 2025-2026.

Financimi i shumës së përfituar bëhet në banka e nivelit të dytë, në llogarinë bankare të deklaruar nga përfituesi në formularin e aplikimit dhe  përfituesi nuk duhet të jetë debitor ndaj Agjencisë së Zhvillimit Bujqësor dhe Rural dhe Ministrisë së Bujqësisë.

 Aplikanti angazhohet të përmbushë kushtëzimet (SMR dhe GAEC) e  përfitimit të pagesave, sipas masave mbështetëse  dhe përmbushja e angazhimeve kontrollohet në terren nga specialisti/inspektori i ngarkuar. Mospërmbushja e angazhimeve për vitin 2026, nuk përbën kriter skualifikues dhe nuk shoqërohet me zvogëlim të pagesave për masën përkatëse. Megjithatë, sipas rastit, specialisti/inspektori paralajmëron aplikantin për zvogëlim potencial të pagesave në të ardhmen dhe aplikim sanksionesh, sipas kuadrit ligjor kombëtar në fuqi.

Për masat mbështetëse të investimeve nr. 10, nr. 11 dhe nr. 12, punimet e ndërtimit, pajisjet, makineritë dhe faturat/aktet e zhdoganimit duhet të jenë pas datës së lidhjes së kontratës. Të gjitha mallrat, makineritë dhe pajisjet duhet të jenë të reja dhe të papërdorura. Financimi për masat e investimeve jepet deri në vlerën e tregut të përllogaritur nga AZHBR, pa përfshirë TVSH-në.

Përfituesi nga masat e investimeve me statusin fermer individual të ketë shlyer sigurimet shoqërore.

 Aplikantët për masat e investimeve do të përjashtohen nga përfitimi i fondeve publike nëse janë dënuar, me vendim gjyqësor të formës së prerë për: pjesëmarrje në një organizatë kriminale, korrupsion aktiv ose pasiv, mashtrim, pastrim të parave, falsifikim dokumentesh, shpërdorim detyre, përvetësim fondesh publike ose private, evazion fiskal, pjesëmarrje në një organizatë terroriste ose kryerje të veprave me qëllime terroriste, fshehje të ardhurash ose deklarim i rremë financiar, falimentim i rremë (falimentim mashtrues), kontrabandë ose tregti e paligjshme dhe çdo veprimtari tjetër të paligjshme që dëmton interesat ekonomike ose financiare publike.

 Afati i fundit i aplikimit është data 26 Qershor përmes e Albania, ndërsa për masat 10-12 bëhet me dorëzim të dosjeve fizike pranë AZHBR. 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat