Shqipëria Postuar më 3 Korrik 2026, 14:33

Biznesi i vogël “mban” ekonominë - OECD: Shqipëria përparon në mbështetjen e sipërmarrjes, sfidë digjitalizimi

Nga Ledina Elezi

Biznesi i vogël “mban” ekonominë - OECD: Shqipëria

Ndërmarrjet e vogla dhe të mesme vijojnë të mbeten shtylla kryesore e ekonomisë shqiptare, duke gjeneruar rreth 78% të vlerës së shtuar dhe mbi 82% të punësimit në vend. Sipas një  raporti më të fundit të OECD për vitin 2026, Shqipëria ka shënuar përparim në mbështetjen e këtij sektori, megjithëse sfidat mbeten të shumta.

Raporti vlerëson se është zgjeruar mbështetja për bizneset që investojnë në teknologji të gjelbra, përmes granteve, skemave të financimit dhe projekteve që nxisin përdorimin e teknologjive moderne dhe modeleve të qëndrueshme të biznesit.

Po ashtu, është forcuar edukimi sipërmarrës në sistemin arsimor, ndërsa janë shtuar programet për mbështetjen e grave sipërmarrëse. Aktualisht, gratë përbëjnë 58% të pjesëmarrësve në programet shtetërore të trajnimit për sipërmarrjen. Një tjetër zhvillim pozitiv është forcimi i ekosistemit të inovacionit. Strategjia e Specializimit Inteligjent, grantet për bizneset inovative dhe hapja e Parkut Teknologjik të Durrësit synojnë të krijojnë më shumë mundësi për startup-et dhe bashkëpunimin mes biznesit dhe kërkimit shkencor.

Megjithatë, OECD evidenton edhe disa dobësi. Shqipëria ende nuk ka një program të dedikuar për ristrukturimin e bizneseve që përballen me vështirësi financiare, ndërsa normat e rikuperimit mbeten më të ulëta se mesatarja e Bashkimit Evropian. Raporti ngre shqetësime edhe për mungesën e aftësive të kualifikuara në tregun e punës, që vështirëson transformimin dhe rritjen e produktivitetit të bizneseve.

Një tjetër sfidë mbetet digjitalizimi. Edhe pse shumica e bizneseve përdorin të paktën një mjet dixhital, teknologjitë më të avancuara, si inteligjenca artificiale, analiza e të dhënave dhe automatizimi, përdoren ende në nivele të ulëta.

Sipas OECD-së, adresimi i këtyre sfidave do të jetë vendimtar që ndërmarrjet e vogla dhe të mesme të rrisin konkurrueshmërinë dhe të kontribuojnë më tej në zhvillimin ekonomik të Shqipërisë.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat