Kosova Postuar më 6 Maj 2025, 10:02

291,6 mln euro remitanca në tre muaj - Rriten dërgesat e emigrantëve në Kosovë

Nga Dorian Koça

291,6 mln euro remitanca në tre muaj - Rriten dërgesat e

Dërgesat e emigrantëve në Kosovë gjatë tre muajve të parë të këtij viti kanë arritur 291,65 milionë euro. Sipas të dhënave zyrtare nga Banka Qendrore e Kosovës, pjesa më e madhe e remitancave, ose 66.08% e tyre, kanë ardhur përmes institucioneve financiare jobanka, nga bankat tregtare (13.04%), si dhe kanale të tjera (20.87%).

Dërgesat e emigrantëve në Kosovë vijnë kryesisht nga Gjermania, me 39,6% të totalit, Zvicra me 17,1% dhe SHBA me 8,1% të totalit.

Ndërkohë, referuar statistikave të Bilancit të Pagesave për dy muajt e parë të vitit, vërehet se bilanci tregtar i mallrave deri në fund të muajit shkurt shënoi deficit prej 791.50 milionë euro, në rritje prej 21.48% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Eksportet e mallrave arritën vlerën 129.88 milionë euro, duke shënuar rënie prej 1.01%, ndërsa importi arriti në 921.38 milionë euro, që përfaqëson rritje prej 17.71% krahasuar me dy muajt e parë të vitit 2024.

Sa i përket investimeve direkte në Kosovë, gjatë dy muajve të parë të vitit arritën në 161.57 milionë euro, vlerë pothuajse e njëjtë krahasuar me vitin e kaluar. Sektori i pasurive të paluajtshme ka regjistruar një rekord prej 113,4 milionë euro, ndjekur nga aktivitetet financiare dhe të sigurimit me 19,8 milionë euro dhe tregtia me shumicë dhe pakice me 9,2 milionë euro.

Nga ana tjetër, investimet direkte jashtë Kosovës shënuan vlerën 34.97 milionë euro, në rritje prej 28.64% kundrejt vitit të kaluar.

Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat