Europa Postuar më 9 Maj 2025, 10:47

Gjermani, prodhimi industrial drejt rimëkëmbjes? - Eksportet zgjerohen në muajin mars, tkurren importet

Nga Kristi Ceta

Gjermani, prodhimi industrial drejt rimëkëmbjes? - Eksportet zgjerohen

Eksportet gjermane u rritën më shumë se sa pritej në mars, ndërsa kërkesa u zgjerua në pritje të tarifave të SHBA-së. Rritja në prodhimin industrial gjithashtu tejkaloi pritshmëritë, duke treguar potencialisht një përmirësim në sektorin e ngadaltë.

Eksportet u rritën me 1.1% në mars krahasuar me muajin e kaluar, treguan të dhënat nga zyra federale e statistikave. Kjo kaloi rritjen e parashikuar prej 1.0% në një sondazh të Reuters. Importet ranë me 1.4% në bazë kalendarike dhe sezonale të rregulluara, në raport me shkurtin.

Bilanci tregtar gjerman tregoi një suficit prej 21.1 miliardë eurosh në mars, nga 18 miliardë euro në muajin paraardhës. Eksportet në vendet e BE-së u rritën me 3.1%, ndërsa në vendet jashtë bllokut ranë me 1.1%. Shumica e eksporteve gjermane shkuan në Shtetet e Bashkuara, me 2.4% më shumë krahasuar me shkurtin, pasi blerjet u nxitën për shkak të tarifave që po afrohen.

Masat e shpallura nga SHBA do t'i japin një goditje të madhe industrisë gjermane, pasi vendi ishin partneri më i madh tregtar i Gjermanisë në vitin 2024, me mallra të shkëmbyera midis tyre me vlerë 253 miliardë euro. Ndërkohë, eksportet në Kinë u rritën me 10.2% gjatë këtij muaji.

Rimëkëmbje industriale?

Prodhimi industrial gjerman u rrit në mars me 3% në raport më shkurtin, ndërsa analistët kishin parashikuar një rritje prej 0.8%. Krahasimi tremujor më pak i paqëndrueshëm tregoi gjithashtu se prodhimi ishte 1.4% më i lartë në tremujorin e parë të vitit 2025 sesa në tremujorin e katërt të vitit 2024.

"Prandaj, nuk është vetëm një rritje që vjen nga paqëndrueshmëria e zakonshme. Pas më shumë se dy vitesh recesioni, ndoshta ka edhe një element ciklik këtu, i cili na jep njëfarë shprese për muajt e ardhshëm," thonë ekonomistët.

Porositë industriale gjermane u zgjeruan më shumë se sa pritej në mars, duke shënuar një rritje prej 3.6% krahasuar me muajin e kaluar, tha zyra federale e statistikave, gjë që tregon një rimëkëmbje të kërkesës.

“Rezultati i marsit konfirmon se kushtet në industrinë gjermane të paktën kanë ndaluar përkeqësimin. Megjithatë, çdo nxitje nga tarifat paraprake ka të ngjarë të zbehet së shpejti dhe sektori gjithashtu do të vazhdojë të përballet me konkurrencën e dobët dhe një rënie strukturore të kërkesës për automjete,” shtoi një eksperte e sektorit.

 

Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat