Bota Postuar më 31 Korrik 2025, 10:00

SHBA po humb garën kundër Kinës? - Analiza/ Politikat e Trump po thellojnë diferencën midis superfuqive

Nga Kristi Ceta

SHBA po humb garën kundër Kinës? - Analiza/ Politikat e Trump po

Shtetet e Bashkuara po e humbasin garën me Kinën. Ky nuk është një përfundim që shumë do ta kishin nxjerrë gjashtë muaj më parë, por tani duket i pashmangshëm. Që nga marrja e detyrës, administrata e Presidentit Donald Trump ka ndërmarrë shumë hapa që favorizojnë kundërshtarin e saj kryesor.

Për dekada të tëra, Kina ndoqi thënien e liderit Deng Xiaoping "fshih forcën dhe prit kohën e duhur". Fatkeqësisht, shumica e vendeve perëndimore e panë Kinën vetëm si një treg të ri të madh për mallrat, shërbimet dhe kapitalin perëndimor. Kur Xi Jinping erdhi në pushtet në vitin 2013, Pekini nuk kishte më nevojë të priste dhe filloi të tregonte forcën e vet.

Në dekadën e kaluar, Kina zgjeroi shpenzimet ushtarake me 800 përqind, rritja më e madhe ushtarake në historinë e kohëve paqësore. Tani shteti vendos më shumë anije në det sesa SHBA dhe po modernizon arsenalin bërthamor, duke synuar të arrijë Rusinë dhe Shtetet e Bashkuara deri në fund të dekadës.

Por përparimet ekonomike, shkencore dhe teknologjike të Kinës janë më shqetësuese. Shtatëdhjetë përqind e vendeve të botës tani tregtojnë më shumë me Kinën sesa me SHBA-në, me mbi gjysmën e tyre që tregtojnë dy herë më shumë me Pekinin. Sot superfuqia aziatike udhëheq botën në sektorë si automjetet dhe bateritë elektrike, robotika, komunikimet kuantike, teknologjitë e rinovueshme dhe shumë të tjera. Sipas një studimi, 20 vjet më parë Shtetet e Bashkuara tejkalonin Kinën në 60 nga 64 teknologjitë kryesore kyçe për mbrojtjen, energjinë, informatikën, bioteknologjinë etj. Ndërsa tani, Pekini kryeson në 57 prej tyre.

Në gjendjen aktuale, Kina mban pothuajse 50 përqind të rezervave botërore të metaleve të rralla, kontrollon 70 përqind të minierave të këtyre metaleve dhe përbën 90 përqind të kapacitetit global të rafinimit të tyre. Ajo gjithashtu ka nën kontroll mbi 90 përqind të prodhimit kritik të magneteve dhe e përdori me sukses këtë monopol për të detyruar administratën Trump të tërhiqej nga lufta e përshkallëzuar tarifore.

Edhe në fushat ku Shtetet e Bashkuara kanë epërsi, si inteligjenca artificiale dhe informatika kuantike, Kina po e kap ritmin. Dalja në treg e DeepSeek tronditi komunitetin e teknologjisë për shpejtësinë dhe sofistikimin e tij, pasi pothuajse barazoi modelet shumë më të shtrenjta të zhvilluara nga kompanitë amerikane. Gjenerata e ardhshme e DeepSeek mund të tejkalojë edhe modelet më të përparuara të OpenAI dhe firmave të tjera.

Amerika ka shumë përparësi në këtë garë, por në gjashtë muajt e fundit, administrata Trump ka filluar sistematikisht të shkatërrojë disa prej tyre. Avantazhi më i madh është fakti që SHBA ka aleatë, ndërsa Kina ka klientë. Së bashku, Shtetet e Bashkuara dhe aleatët mund të tejkalojnë konkurrencën e të tjerëve për shpenzimet, inovacionin, tregtinë apo financimet. Por aleatët e Uashingtonit në Amerikën e Veriut, Evropë dhe Azi gjithnjë e më shumë po shqetësohen se politika aktuale "Amerika e Para" po i lë ata të fundit. Kjo po i bën partnerët të kthehen te njëri-tjetri dhe të zvogëlojnë lidhjet e tyre ushtarake, ekonomike dhe politike me Uashingtonin.

Administrata Trump po dobëson gjithashtu vendin duke shkurtuar mbështetjen për kërkimet dhe duke kufizuar emigracionin. Për dekada të tëra, financimi federal dhe politikat e hapura të emigracionit nxitën përparime të mëdha shkencore dhe teknologjike përmes universiteteve kërkimore të vendit. Veprimet e fundit po kërcënojnë këtë ekosistem inovacioni. Si rezultat, shumë shkencëtarë po shqyrtojnë mundësinë e largimit nga SHBA për të punuar diku tjetër.

Shqipëria 31 Korrik Edel Strazimiri

Si është mbyllur ky muaj për valutat kryesore?

Dollari amerikan është blerë këtë të enjte me 84 lekë dhe është shitur me 85.5 lekë duke e mbyllur muajin në rritje sipas kursit të këmbimit lokal. Monedha......

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat