Bota Postuar më 21 Nëntor 2025, 09:53

SHBA furnizon Lindjen e Mesme - Do të eksportojë çipe të avancuara në Arabinë Saudite, Emiratet e Bashkuara

Nga Kristi Ceta

SHBA furnizon Lindjen e Mesme - Do të eksportojë çipe të

Departamenti i Tregtisë i Shteteve të Bashkuara njoftoi se ka autorizuar eksportin e gjysmëpërçuesve të avancuar të inteligjencës artificiale për dy kompani në Arabinë Saudite dhe Emiratet e Bashkuara të Arabisë. Marrëveshja përfshin deri në 35,000 çipe Nvidia Blackwell.

Bëhet fjalë për kompaninë shtetërore me bazë në Abu Dabi, G42, dhe Humain, një iniciativë e mbështetur nga qeveria saudite. Të dyja firmat kanë projekte të mëdha për qendra të të dhënave në vendet përkatëse.

Ky njoftim përkon me vizitën e parë në SHBA të Princit Trashëgimtar të Arabisë Saudite, Mohammed bin Salman, që nga viti 2018, dhe reflekton mbështetjen e madhe të SHBA-së ndaj aspiratave të këtyre shteteve.

“Të dyja kompanitë po marrin miratime për të blerë ekuivalentin e deri në 35,000 çipeve Nvidia Blackwell,” tha Departamenti i Tregtisë në një deklaratë. Një total prej 35,000 çipesh Blackwell vlerësohet rreth 1 miliard dollarë, por çmimet mund të ndryshojnë. “Miratimet janë të lidhura me respektimin e standardeve të rrepta të sigurisë dhe të raportimit nga kompanitë,” shtoi Departamenti.

Më herët gjatë ditës, Humain, kompania saudite e mbështetur nga qeveria, njoftoi se planifikon të blejë 600,000 çipe Nvidia për zgjerimin e inteligjencës artificiale.

Humain dhe xAI, kompania e Elon Musk, planifikojnë të zhvillojnë së bashku qendra të dhënash në Arabinë Saudite, duke përfshirë një impiant prej 500 megavatësh.

G42, një kompani teknologjike e lidhur me shtetin e Emirateve, synon të ndërtojë një nga qendrat më të mëdha të të dhënave në botë në Emiratet e Bashkuara të Arabisë, duke përdorur teknologjinë amerikane.

Gjigantët e teknologjisë si Nvidia, OpenAI, Cisco dhe Oracle, së bashku me SoftBank nga Japonia, po punojnë me G42 për ndërtimin e fazës së parë, të njohur si Stargate UAE, që pritet të fillojë operimet në vitin 2026.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat