Bota Postuar më 6 Maj 2026, 10:04

Linjat ajrore shkurtojnë mbi 2 milionë vende - Shkak, frika e mundshme nga mungesa e karburantit

Nga Dorian Koça

Linjat ajrore shkurtojnë mbi 2 milionë vende - Shkak, frika e mundshme

Linjat ajrore po bëjnë shkurtime masive të itinerareve, duke hequr rreth 2 milionë vende nga oraret e tyre të fluturimeve të majit, raportoi Financial Times, mes frikës në rritje për mungesë karburanti të shkaktuar nga tensionet në Lindjen e Mesme dhe trazirat në tregjet globale të energjisë.

Sipas firmës analitike Cirium, numri i përgjithshëm i vendeve të disponueshme ka rënë nga 132 milionë, në 130 milionë vetëm në pak javë, ndërsa rreth 12,000 anulime fluturimesh janë regjistruar tashmë. Kriza e furnizimit po fillon të ndikojë ndjeshëm në industrinë globale të aviacionit.

Çmimi i karburantit për avionë është pothuajse dyfishuar që nga fillimi i konfliktit SHBA-Izrael me Iranin, duke shkaktuar krizën më të madhe energjetike në histori. Një rol vendimtar luajti vendimi i Teheranit për të bllokuar Ngushticën e Hormuzit, nëpër të cilën kalon rreth 20% e naftës botërore, duke shkaktuar një ndërprerje serioze të furnizimit me karburant.

Sipas Shoqatës Ndërkombëtare të Transportit Ajror (IATA), çmimi mesatar i karburantit për avionë arriti në 181 dollarë për fuçi, duke shënuar një rritje prej 1% vetëm në një javë.

Linjat ajrore po anulojnë fluturimet dhe po zëvendësojnë avionët e mëdhenj me avionë më të vegjël për të ulur konsumin e karburantit. Lufthansa ka hequr tashmë rreth 20,000 fluturime nga orari i saj deri në tetor, ndërsa Air France-KLM dhe transportuesit e tjerë evropianë po e ulin ndjeshëm kapacitetin.

Në Azi, Air China ka reduktuar itineraret e brendshme, ndërsa në Amerikën e Veriut, Spirit Airlines ka pezulluar operacionet, kryesisht për shkak të krizës së karburantit që prek industrinë.

Komisioni Evropian  po u bën thirrje linjave ajrore dhe shteteve anëtare të përgatiten për të gjitha skenarët. "Askush nuk e di se sa do të zgjasë kjo situatë. Gjëja më efektive që mund të bëjmë është të përgatitemi për të gjitha eventualitetet ", tha zëdhënësja e Komisionit.

Qeveritë evropiane po shqyrtojnë masa për t'u përballur me krizën. Në Britani , qeveria po u lejon linjave ajrore të kombinojnë pasagjerë nga fluturime të ndryshme në më pak avionë, me qëllim uljen e konsumit të karburantit.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat