Europa Postuar më 10 Shkurt 2024, 10:49

Ekspertët britanikë, shtyrje të moshës së pensionit - “Është në lojë ekonomia e vendit, punoni më gjatë!”

Nga SCAN TV
Ekspertët britanikë, shtyrje të moshës së pensionit -

Studimet e fundit tregojnë se raporti i pensionistëve ndaj punonjësve në Mbretërinë e Bashkuar po bëhet i paqëndrueshëm pasi popullsia plaket dhe lindshmëria bie. Çdokush i lindur pas prillit 1970 në vend, mund të duhet të punojë deri në moshën 71 vjeç, sipas një raporti të ri nga Qendra e Jetëgjatësisë.

Pragu aktual i moshës për marrjen e pensionit shtetëror është 66 vjeç, megjithëse parashikohet të rritet në 68 deri në vitin 2044. Ekspertët thonë se një rritje graduale është e nevojshme për të ruajtur ‘status quo’-në e numrit konstant të punëtorëve për pensionist shtetëror.

Nëse përqindja e pensionistëve ndaj punonjësve rritet, ka të ngjarë të ketë mungesë punonjësish për të vazhduar me kërkesën në rritje të konsumatorëve, thotë raporti. Pabarazia e punës është më shumë një problem i menjëhershëm në Mbretërinë e Bashkuar sesa në vendet më pak të zhvilluara për shkak të shifrave të jetëgjatësisë dhe rënies së nivelit të lindjeve. Pandemia, së bashku me vitet e krizës ekonomike të Britanisë dhe një rritje të shkallës së vdekshmërisë, do të thotë se ka pasur një lehtësim të përkohshëm të presionit mbi buxhetet e pensioneve.

Megjithatë, Covid-19 rezultoi në periudha pasiviteti, duke dobësuar motivimin e qytetarëve të moshuar për t'u kthyer në fuqinë punëtore pas bllokimeve. Duke parë pensionistët e hershëm, Qendra e Jetëgjatësisë vuri në dukje gjithashtu se shumë punonjës në Mbretërinë e Bashkuar po largoheshin nga fuqia punëtore para kohe për shkak të kushteve shëndetësore.

Deri në moshën 70-vjeçare, vetëm 50% e të rriturve në Angli dhe Uells janë aktualisht pa aftësi të kufizuara dhe të aftë për të punuar. Prandaj, kujdesi për shëndetin e punonjësve përpara se ai të përkeqësohet duhet të jetë një prioritet për qeveritë, sipas Qendrës së Jetëgjatësisë.

Shifrat e publikuara javën e kaluar nga Zyra për Statistikat Kombëtare treguan se popullsia e Mbretërisë së Bashkuar parashikohet të rritet nga rreth 67 milionë që ishte në mesin e vitit 2021, në 73.7 milionë deri në mesin e vitit 2036. Shpenzimet e përfitimit të pensionistëve pritet të kushtojnë 138 miliardë paund midis 2023-shit dhe 2024-ës. 125 miliardë paund nga kjo shumë do të shpenzohen për pensionet shtetërore.

Dorina Kurtaj /SCAN

Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat