Europa Postuar më 29 Gusht 2023, 14:03

Ekonomia e BE i rikthehet suficitit tregtar - Situata normalizohet pas dy vitesh rradhazi me deficit

Nga SCAN TV
Ekonomia e BE i rikthehet suficitit tregtar - Situata normalizohet pas dy vitesh

Bilanci tregtar midis Bashkimit Europian dhe pjesës tjetër të botës është rikthyer në suficit pas gjashtë tremujorësh radhazi deficit. Ndryshimi ndodhi në tremujorin e dytë të këtij viti, kur blloku regjistroi një suficit modest prej 1 miliard euro, sipas të dhënave të një raporti të ri të publikuar nga Eurostat.

Shitjet në mbarë botën të kimikateve, makinerive, automjeteve, ushqimeve dhe pijeve ishin shtytësit kryesorë pas trendit rritës dhe arritën të kompensojnë blerjet e produkteve energjetike, si gazi dhe nafta, çmimet e të cilave mbeten jashtëzakonisht të larta si rezultat i luftës së Rusisë në Ukrainë.

Këto shifra nganjëherë citohen për të përshkruar shëndetin e një ekonomie, por ekspertët paralajmërojnë se janë tepër të thjeshtuara dhe nuk marrin parasysh faktorë të tjerë si rritja, punësimi ose produktiviteti. Për shembull, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ekonomia më e madhe në botë, ka shënuar pandërprerë një deficit tregtar që nga vitet 1970.

Në rastin e Bashkimit Europian, blloku regjistroi një suficit të qendrueshëm në pjesën më të madhe të viteve 2010, kur vendet anëtare iu drejtuan eksporteve si një rrugëdalje nga kriza financiare. Por ky drejtim mori një kthesë të papritur me fillimin e krizës energjetike.

BE-ja është thellësisht e varur nga prodhuesit e huaj të lëndëve djegëse fosile dhe për këtë arsye është e ndjeshme ndaj luhatjeve të forta të çmimeve në tregjet globale. Që nga mesi i vitit 2021, blloku është detyruar të paguajë një faturë të lartë për të siguruar furnizimet me energji, për të mbajtur ekonominë në punë dhe për të shmangur skenarin e frikshëm të ndërprerjeve të energjisë elektrike ose racionimit.

Sipas Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë - IEA, vitin e kaluar BE pagoi rreth 400 miliardë euro vetëm për blerjen e gazit. Paratë u shpenzuan për zëvendësimin e dërgesave ruse, të cilat deri para shpërthimit të luftës ishin të njohura për vlerën e tyre me kosto të ulët.

Kaosi i blerjeve përmbysi në mënyrë drastike bilancin tregtar dhe e zhyti bllokun në deficitin më të thellë tregtar që nga prezantimi i monedhës së përbashkët.

Deficiti tregtar i 27 vendeve anëtare arriti në 155 miliardë euro në tremujorin e tretë të 2022, më i madhi i regjistruar ndonjëherë. Pas kësaj, flukset filluan të stabilizohen, pasi paqëndrueshmëria dhe spekulimet në tregjet e energjisë u ulën.

Me shpenzimet më të pakta të BE-së për blerjen e gazit dhe naftës, bilanci tregtar u rikuperua dhe arriti një suficit në tremujorin e dytë të këtij viti, kur blloku regjistroi një rënie prej 15.6% në importin e blerjeve të energjisë në krahasim me periudhën e mëparshme.

Dorina Kurtaj / SCAN

Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat