Bota Postuar më 15 Qershor 2022, 11:57

Dollari stabilizohet në nivelin më të lartë në 20 vite - Investitorët presin takimin e Rezervës Federale dhe të BQE

Nga SCAN TV

Euro është rritur lehtë edhe gjatë sesionit të sotëm, duke ju afruar më shumë nivelit të 1.05 dollarëve, por megjithatë monedha amerikane vijon të qëndrojë pranë nivelit më të lartë në 20 vitet e fundit.

Investitorët po tregohen të kujdesshëm, në pritje të përfundimit të takimit 2-ditor të Rezervës Federale, në mbrëmjen e sotme. Analistët parashikojnë se banka qendrore më e madhe në botë do të rrisë normën bazë të interesit, me të paktën 50 pikë bazë, për të parandaluar rritjen e mëtejshme të çmimeve.

Indeksi që mat ecurinë e dollarit amerikan, përballë gjashtë monedhave kryesore ndërkombëtare, po qëndron në rreth 105.3, niveli më i lartë që nga dhjetori i vitit 2002. Paundi britanik, ndërkohë, po kuotohet në rreth 1.2 dollarë, niveli më i ulët në 15 muajt e fundit. Tashmë, aktorët e tregun vlerësojnë 99.7% mundësi që Rezerva Federale të rrisë me 75 pikë bazë, normën bazë të interesit, në takimin që mbyllet ditën e sotme.

Gjithashtu, në fokus të tregjeve do të jetë edhe takimi emergjent që do të zhvillojë Banka Qendrore Europiane, e cila do të diskutojë mbi trazirat në tregje. Në tregun e kriptovalutave, vijon tendenca në rënie, por duket se tregu po shkon gradualisht drejt stabilizimit.

Huadhënësi i kriptovalutave, Celsius Network njoftoi një ditë më parë se kishte pezulluar tërheqjen nga klientët e saj, lajm që rrëzoi më tej monedhat kryesore. Bitcoin po tregtohet në nivelin më të ulët në 18 muajt e fundit, prej 21,800 dollarë, ndërsa ethereum po tregtohet në rreth 1130 dollarë.

SCAN

Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat