Bota Postuar më 13 Dhjetor 2023, 20:22

Dollari rritet lehtë përballë monedhave kryesore - Investitorët po presin sinjalizime nga FED për uljen e interesave

Nga SCAN TV
Dollari rritet lehtë përballë monedhave kryesore -

Dollari amerikan po qëndron në rritje të lehtë në sesionin e sotëm, ndërsa investitorët po presin përfundimet që do të dalin nga takimi i Rezervës Federale, në mbrëmjen e sotme, që mund të ofrojë disa informacione se kur banka qendrore e SHBA do të fillojë të ulë normat e interesit.

Paundi është ndër performuesit më të dobët, pasi të dhënat treguan se ekonomia e Mbretërisë së Bashkuar u tkurr me 0.3% në tetor, duke rritur rrezikun e një recesioni dhe duke komplikuar potencialisht përpjekjet e Bankës së Anglisë për t'iu përmbajtur qëndrimit të saj kundër uljes së normave të interesit. Indeksi që mat ecurinë e dollarit amerikan, përballë shportës me 6 monedhat kryesore ndërkombëtare po qëndron në rritje me rreth 0.2%, pranë nivelit të 104.

Zyrtarët e Rezervës Federale do të japin parashikime të përditësuara mbi ekonominë dhe mbi normat e interesit më vonë gjatë ditës. Në veçanti, investitorët do të shikojnë nëse kryetari i Fed, Jerome Powell, do të kundërshtojë perspektivën e uljes së normave të interesit në gjysmën e parë të vitit 2024.

Të dhënat e fundit, sugjerojnë një ngadalësim të ekonomisë amerikane, por të dhënat e publikuara të mërkurën treguan se çmimet e konsumit u rritën në nëntor. Ndërkohë, Banka Qendrore Evropiane, Banka e Anglisë, Banka Qendrore e Norvegjisë dhe Banka Kombëtare e Zvicrës do të marrin vendimet e tyre të enjten.

Banka qendrore norvegjeze konsiderohet të jetë e vetmja që mund të rrisë potencialisht normat e interesit. Banka e Japonisë do të mblidhet javën e ardhshme dhe jeni ka qenë i paqëndrueshëm për shkak të spekulimeve se banka qendrore po i afrohet përfundimit të politikës me norma negative të interesit.

SCAN

Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat