Bota Postuar më 30 Maj 2023, 09:59

Dollari, i qëndrueshëm në nivelin më të lartë në 2 muaj - Në fokus të tregjeve votimi i tavanit të borxhit në kongresin amerikan

Nga SCAN TV
Dollari, i qëndrueshëm në nivelin më të lartë

Dollari amerikan po qëndron në rritje edhe në sesionin e sotëm, përballë shportës me 6 monedhat kryesore ndërkombëtare dhe po tregtohet në nivelin më të lartë në 2 muajt e fundit. Investitorët po presin votimin e marrëveshjes për rritjen e tavanit të borxhit në SHBA, në të dyja dhomat e Kongresit.

Indeksi që mat ecurinë e dollarit, po qëndron në rreth 104.3, niveli më i lartë që nga fillimi i prillit. Gjatë këtij muaji, ky indeks ka fituar rreth 2.5% të vlerës. Projektligji prej 99 faqesh do të pezullojë kufirin e borxhit deri më 1 janar të vitit 2025, duke i lejuar ligjvënësit të lënë mënjanë çështjen me rrezik politik deri pas zgjedhjeve presidenciale të nëntorit 2024. Ai gjithashtu do të kufizonte disa shpenzime qeveritare gjatë dy viteve të ardhshme. Sekretarja amerikane e Thesarit, Janet Yellen tha të premten se qeveria do të falimentonte nëse Kongresi nuk rrit tavanin e borxhit deri më 5 qershor.

Më herët, Yellen kishte deklaruar se, një falimentim mund të ndodhte më 1 qershor. Në lidhje me Rezervën Federale, investitorët vlerësojnë 60% mundësi për një tjetër rritje të normës bazë të interesit në takimin e qershorit, për shkak se ekonomia amerikane ka shfaqur shenja të forta. Ndër zhvillimet e tjera, lira turke ka prekur një nivel të ulët rekord, në rreth 20.1 për dollar, pasi presidenti Erdogan siguroi një tjetër mandat në zgjedhjet e së dielës. Në tregun e kriptomonedhave, bitcoin po tregtohet në rreth 27,800 dollarë, ndërsa ethereum po tregtohet në rreth 1900 dollarë.

SCAN

Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat