“Diagnozë” historike e pronësisë në Shqipëri (Pjesa II)! Të panjohurat e Reformës së Parë Agrare në 1930. Çfarë sugjeroi eksperti italian Lorenzoni, kush u shpronësua e kush përfitoi tokë
PJESA I
https://scantv.al/diagnoze-historike-e-pronesise-ne-shqiperi-si-nisen-uzurpimet-ne-1912-asgjesimi-i-kadastrave-ne-1914-ne-durres-dhe-komisionet-e-deshtuara-hetimore-pjesa-i/PJESA II
Në vitin 1928, Ahmet Zogu paralajmëroi parlamentin se do të ndërmerrte një lëvizje të fortë për çështjen e pronësisë në Shqipëri; realizimin e një Reforme Agrare. Pak muaj më vonë, ai iu drejtua zyrtarisht qeverisë italiane duke i kërkuar mbështetje teknike për procesin. E në fakt, qeveria italiane solli në Shqipëri një prej profesorëve më të njohur të kësaj fushe, Giovanni Lorenzonin. Ky i fundit ishte një nga ekonomistët më të njohur në Itali, i specializuar në Vienë dhe Berlin për ekonominë agrare. Krahas funksioneve të tjera, në vitin 1910 ai mbante detyrën e sekretarit të Institutit Ndërkombëtar të Agrikulturës në Romë. Në kohën kur erdhi në Shqipëri, ai ishte pedagog në Universitetin e Firenzes. Pas mandatimit nga qeveria italiane, ai erdhi disa herë në Shqipëri për të studiuar çështjen agrare. I shoqëruar nga deputeti i Tiranës Said Toptani dhe stenografi i parlamentit shqiptar Gjush (Gjergj) Benussi në cilësinë e përkthyesit, Lorenzoni udhëtoi nëpër Shqipëri nga qershori deri në gushtin e vitit 1929. E në fund të këtyre udhëtimeve, ai përfundoi raportin për çështjen e pronësisë si dhe raportin me sugjerimet se si duhej të ishte Reforma Agrare, e para që prej shpalljes së Pavarësisë. Raportet iu dorëzuan në nëntor të vitit 1929 qeverisë shqiptare, që në fund miratoi Reformën e parë Agrare të Shqipërisë me 13 prill të vitit 1930. Dekretimi u bë me 2 maj të atij viti. “Po prekim ‘Institucionin e Zotërimit’. Reformë Agrare jo revolucionare sipas modelit rus e as ç’nacionalizuese sipas modelit serb apo grek”-Çfarë konstatoi në Shqipëri profesori i Firenzes, Giovanni Lorenzoni… “Një studioz që rron tash sa vjet në Shqipni, pronësinë e madhe private në të tanë tokën e sipërpërmendun e llogarit në 213 mijë hectare, të ndarë ndërmjet afro 165 famije pronarësh të mëdhenj, nga të cilat shumë janë bashkëzotëruese, po të një toke. Në qoftë se proporcioni i dy të tretave në një të tretën është i saktë, pronësia e shteti duhet të kalojë 100 mijë hektarët. Ferma të mëdha e të vërteta nuk ka në Shqipëri, veç tri a katër. E gjithë pronësia e madhe kultivohet në ferma të vogla me bujq ose me qiradhënie, e cila paguhet me prodhim. Bujqit marrin tokë dhe ma tepër se u lypet por vetëm pjesa më e vogël e saj kultivohet” shkruante Lorenzoni në studimin e tij. Sipas tij, në Shqipëri nuk ishte çështja e modifikimit të një instituti apo një pjesë të veçantë të jetës ekonomike, por të një sistemi shoqëror të trashëguar ndër shekuj. “Këtu lipset të turbullosh një gjendje të qendrueshme për të krijuar një të re, të lartësosh disa elemente, të ulësh të tjera, duke u dhënë tokë këtyre e duke ua hequr atyre për të krijuar klasa të reja e për të prekur Institutin e Zotërimit, që sigurisht nuk është i shenjtë por pse mbi atë kryeson interesi i kombit, por që përdoret më shumë urti kur kërkohet të mbash larg përshtjellime shoqërore të frikshme. Asnjë njëri i urtë nuk i ngjishet këtij problemi kaq të vështirë po nuk qe i shtyrë nga shkaqe të rënda” shkruante më tej ai duke paralajmëruar për delikatesën që paraqiste një lëvizje e tillë për stabilitetin social dhe ekonomik të Shqipërisë. Ai evidenton faktin se në vendet e tjera si Rumania apo Greqia, pjesa më e madhe e Reformave Agrare që u bënë menjëherë pas lufte patën një karakter politik e shoqëror. “Çfarë karakteri mendohet që t’i jepet Reformës Agrare në Shqipëri? Sigurisht jo karakter revolucionar sipas tipit rus, as ç’nationalizues të tipit serb ose grek. Shqipnija është një shtet europian i organizuar më së miri dhe nuk mund të pranojë grabitje të asnjë klasë, e gjithashtu nuk duhet të ndjehet e frikësuar nga ndonjë kërcënim gjuhe ose politike nga ana e disa elementeve që banojnë në ndonjë pjesë të vogël në krahinat jugore, ashtu dhe s’ka nevojë që të përdorë një vepër ç’nationalizuese nëpërmjet pjestimit të tokës” shkruante më tej Lorenzoni në studimin e tij. Ai evidenton se në krahinat më të pasura të Shqipërisë agrare kishte një përpjestim krejtësisht irracional të pronësisë. Sipas tij, pjesa më e madhe e tokës është në dorë të pak familjeve, “të nja 10 latifondistësh ndoshta e të nja 160 ose 170 pronarësh që kanë më tepër se 100 hektarë si dhe në dorë të shtetit ku jetojnë 18 deri në 20 mijë familje bujqish që posedojnë pak ose aspak”.
Foto mësipër:Giovanni Lorenzoni
Modeli ‘Lorenzoni’ për Reformën Agrare në Shqipëri?
Profesori italian propozonte që pronësia të kishte një rishpërndarje që të mundësonte krijimin e fermave me sipërfaqe që të lejonin një rentabilitet ekonomik të tyre. Lorenzoni propozonte pakësimin e pronësisë së madhe si të privatëve, ashtu edhe të shtetit, për të rritur nw dimensione pronësinë e mesme dhe të vogël, me qëllim që ato të ishin autonome ekonomikisht. E gjithë kjo, ishte parashikuar të bëhej pa ‘turbulluar” ekuilibrin që ekzistonte. Lorenzoni propozonte që një pjesë e tokës t’u hiqej pronarëve të mëdhenj kundrejt shpronësimit me pagesë dhe t’u jepej pronarëve të mesëm e të vegjël, sërish kundrejt pagesës, me qëllimin që sipërmarrjet e tyre bujqësore të bëheshin eficente. Në këtë kontekst, Lorenzoni propozoi krijimin e Fondit Agrar Kombëtar që do të shërbente për pronat e vogla bujqësore. Ky fond duhej të administrogej nga Zyra Agrare Kombëtare, që ishte dhe organi më i lartë për zbatimin e reformës agrare. Në këtë fond, parashikohej të bënin pjesë tokat private e shtetërore që konsideroheshin të shpronësueshme sipas konceptit të mësipërm. Nga ana tjetër, Lorenzoni propozonte përpunimin e një plani kolonizimi që parashikonte përmirësimin e kushteve të pronave bujqësore dhe transferimin në to të familjeve nga vende të tjera. Sipas projektit të Lorenzonit, familjet që do të përfitonin tokë nga Reforma Agrare duhej të kontribuonin në përmirësimin e tokës bujqësore e ky investim do t’u zbritej nga çmimi që duhej të paguanin për marrjen e tokës. Në kushtet kur shumë fshatarë ishin të varfër dhe nuk kishin mundësi për të paguar për tokën, Lorenzoni propozonte që pjesa tjetër e munguar e pagesës të bëhej përmes financimit nga Banka Bujqësore që duhej të krijohej për këtë qëllim. Sa i përket pjesës së shpronësimeve, Lorenzoni propozonte krijimin e ‘minimumit të pacënueshëm’ që parashikonte që pronarëve të mëdhenj t’u lihej një sipërfaqe prej 100 hektarësh, së cilës i shtoheshin 15 hektarë për çdo fëmijë mashkull që banonte me kryetarin e familjes. Ky propozim u mor parasysh nga qeveria shqiptare por vetëm në formulë e kjo në sasi pasi në përfundim, sipërfaqja që u lihej pronarëve të mëdhenj, pra ‘minimumi i pacënueshëm’, u la për 40 hektarë dhe jo 100 hektarë. Çmimin mesatar i tokës për të gjithë Shqipërinë, Lorenzoni e kishte llogaritur 160 franga ar për hektar. Edhe ky propozim nuk u mor parasysh pwr faktin se ccmimi u la 20 franga ari pwr hektar. Mesatarja e tokës që do të caktohej për familje bujqish ishte 5 hektarë, një pjesë të cilën e përfitonin me punimet e përmirësimit të tokës e një pjesë me kredi nga Banka Bujqësore për një afat 25 vjeçar. Sipas përllogaritjeve të Lorenzonit, një familje për të përfituar këtë sasi toke, me këtë skemë, paguante vetëm 94 franga ari në vit, çka praktikisht konsiderohej si një shumë e ulët dhe e përballueshme edhe për familjet e varfëra. Një nga sfidat më të mëdha për realizimin e reformës që shihte Lorenzoni ishte ‘rendi psikologjik’. Për këtë qëllim, Lorenzoni propozonte krijimin e fermave model dhe investimin në arsimin bujqësor. Propozimet e Lorenzonit u reflektuan në pjesën më të madhe në ligjin me 88 nene për Reformën Agrare që u miratua në vitin 1930 nga parlamenti shqiptar. Pas miratimit të ligjit dhe krijimit të institucioneve përkatëse për zbatimin e Reformës, nisi edhe aplikimi konkret i saj. Studiuesi Haxhi Shkoza, njëkohësisht edhe ish inspektori financiar i Oborrit Mbretëror të Ahmet Zogut, vlerëson se ligji solli përmirësime rrënjësore në gjendjen e bujkut shqiptar dhe i dha të drejtë atij që të bëhet zot toke dhe ta punojë atë. Paralelisht me reformën u miratua dhe ligji për krijimin e Bankës Bujqësore. 4 muaj pas miratimit të Reformës Agrare, u miratua edhe rregullorja për aplikimin e saj që përmbante 47 nene. Por menjëherë nisën të shfaqeshin probleme në zbatimin e saj, çka e detyroi qeverinë shqiptare që dy vite më vonë, në 1934, të miratonte disa ndryshime për kontratën tip që duhej nënshkruar për dhënien dhe marrjen e tokës. Reforma nisi të zbatohej pa u ngritur Banka Bujqësore,çka solli që qeveria shqiptare t’i drejtohej sërish Italisë për një tjetër këshilltar. Këtë herë, këshilltari i kërkuar ishte për mënyrën sesi mund të ngrihej Banka Bujqësore që do të kreditonte pagesën e tokave që përfitonin bujqit e nga ana tjetër edhe rritjen e prodhimit bujqësor përmes investimit në makineri e pajisje. Kërkesa për një ekspert krediti bujqësor u shoqërua me një shtojcë të re në ligjin për Reformën Agrare në vitin 1936. Pas kësaj kërkese, qeveria italiane dërgoi në Shqipëri Francesco Friggionen, që prej 10 vitesh drejtonte seksionin e kreditit agrar në një prej bankave agrare më të njohura të Italisë, Banco di Napoli apo Banka e Napolit. Bankieri 40 vjeçar erdhi në Shqipëri pa shpenzime për palën shqiptare pasi ishte vetë Banka e Napolit që ia pagoi shpenzimet. Po ashtu, kjo bankë iu kishte paguar bursën edhe dy studentëve shqiptarë që të studionin në Itali për kreditin agrar. Megjithatë, në një intervistë për gazetën Drita në vitin 1936, këshilltari italian Friggione do të shprehej se “Banka Agrare nuk do të ketë asnjë lidhje me Bankën e Napolit”. Në vitin 1937, me 1 gusht, Banka e Bujqësisë hapi dyert e veta në një ceremoni zyrtare ku merrnin pjesë kryeministri Kostaq Kotta dhe shumë autoritete të tjera. Dyert e kësaj banke do të qendronin për pak kohë të hapura pasi vetëm pak vite më vonë kjo bankë do të ‘përthithej’ nga Banka e Napolit, që çeli degët e saj në Shqipëri dhe mori përsipër kreditimin agrar.Foto mësipër:Ceremoni e ndarjes së tapive të tokave për fshatarët përfitues nga Reforma e vitit 1930. ASH
Problemet e Reformës së parë Agrare/ Copëtimi i pronave për t’iu shmangur Reformës ‘prodhoi’ pronarë fiktivë dhe ngatërruan më tej çështjen e pronësisë Reforma e parë Agrare u përball me shumë probleme. Në thelb, Reforma që kaloi në Kuvend kishte disa ndryshime thelbësore nga propozimet e profesorit të Firenzes, Lorenzoni. Ndryshe nga sa propozonte ai, nga 100 hektarë, reforma parahikonte që atyre t’u liheshin 40 hektarë dhe pjesa tjetër t’u shpronësohej. Po ashtu, nga 160 franga ari që parashikohej vlera e 1 hektari, ajo u llogarit për efekt shpronësimi e blerje 20 franga ari. Një mangësi tjetër ishte se nuk u lidh në mënyrë direkte kreditimi bujqësor me reformën, pasi Banka Agrare u hap thuajse 7 vite pasi u realizua reforma. Nga ana tjetër, Reforma u përball edhe me disa mangësi të tjera. Një ndër mangësitë e hasura ishte ‘devijimi’ që bënë pronarët e mëdhenj të tokave. Studiuesit Iljaz Fishta e Mentar Belegu, te ‘Mbi disa çështje të reformës agrare zogiste” të botuar te Studime Historike 4, viti 1989 shkruajnë se pronarët bënë përpjekje të tjera për t’i shpëtuar Reformës Agrare. Në listën e veprimeve që u bënë në këtë periudhë ishin shit-blerjet fiktive, ndarja e sipërfaqeve të tokës në mes pjesëtarëve të familjeve të tyre e shumë akte të tjera. “Në këtë mënyrë, pronarët e ngatërruan pronësinë mbi tokën duke ua kaluar pronën personave të dytë dhe këta të tretëve. Në qarkun e atëhershëm të Beratit (Berat, Lushnje, e sidomos Fier) u bënë mbi 160 shitje fiktive për 31 mijë e 492,7 hektarë” shkruajnë studiuesit ndërsa analizojnë Reformën Agrare. Nga ana tjetër, studiuesit shohin mangësi në punën e strukturave shtetërore për zbatimin e reformës e për këtë qëllim përmendet si dëshmi suprimimi i Drejtërisë së Përgjithshme të Reformës Agrare si institucion më vetë në vitin 1937 dhe krijimin në qershorin e vitit 1938 të Drejtorisë për Administrimin e Çifligjeve Shtetërore, “Në bazë të këtij ligji, ndërpritej Reforma Agrare në Çifligjet e Shtetit. Kjo drejtori do të administronte pronat shtetërore duke ua dhënë përsërit me të tretë bujqve në bazë të kontratës tip e cila që nga shpallja e Reformës Agrare më 1930, sikurse u tha, nuk ishte zbatuar as nga pronarët çifligarë, as nga shteti. Pas gati 10 vitesh nën presionin e fshatarësisë dhe të opinionit publik përparimtar, përfaqësues të administratës zogiste u detyruan që të pranonin se ligji i Reformës Agrare, i miratuar në 1930 kishte të meta që e kishin penguar zbatimin e tij. Në një relacion të zyrës së Reformës Agrare, pranë Ministrisë së Ekonomisë Kombëtare drejtoria e Bujqësisë, të 18 marsit të 1939 viheshin në dukje një tok të metash si të ligjit në fjalë, ashtu edhe të rregullores relative. Aty theksohej se toka e shpronësuar ka qenë gjithnjë e cilësisë më të dobët, e papërshtatshme për instalim, se neni 4 i ligjit i jepte të drejtën çdo anëtari të familjes pronare të zgjidhte pjesën më të mirë të tokës që nuk prekej nga reforma dhe se pronarët në përgjithësi nuk i kishin përfillur organet e Reformës Agrare dhe se neni 9 nuk parashikonte masa kundër tyre etj” shkruajnë më tej studiuesit ndërsa analizojmë se çfarë nuk funksionoi te Reforma e parë Agrare. Dy studiuesit kanë analizuar dhe efektet që ka pasur Reforma Agrare dhe duke iu referuar një dokumenti të vitit 1939 që trajton gjerësisht Reformën Agrare, rezulton se toka e shpronësuar nga kjo reformë ka qenë 2 mijë e 992,3 hektarë tokë në çifligje private dhe 3 mijë e 383,5 hektarë tokë në çifligje shtetërore. Gjithsej, sipas studiuesve, Reforma Agrare preku 6 mijë e 375,8 hektarë tokë në të cilat u instaluan 1905 familje emigrantësh nga Kosova dhe bujqish me 8 mijë e 763 frymë. Vijon... Në pjesën III do të lexoni: Si u përgatit Reforma Agrare e viteve 1945-1946? Pse u ndaluan hipotekimet e pronave? Çfarë ishin Komisionet për Tokat e Shtetit? Çfarë ishin Komitetet e Fshatarëve të Varfër? Pse u vendos të mbaheshin disa prej neneve të Reformës së parë Agrare të 1930? Ngjarja ekstreme në Elbasan mes familjes së pronarit dhe familjes përfituese Pse kishte refuzime nga fshatarët për të marrë prona Sa ishin të shpronësuarit dhe sa ishin familjet përfituese nga Reforma Agrare e viteve të para të ekonomisë së centralizuar...Sondazh
Rënia e euros, cilat subjekte po preken më shumë - “Dhimbje koke” për sektorin e ndërtimit, kompanitë e sigurimeve dhe eksportuesit e kimikateve
Euro vijon të mbetet në nivele rekord të ulëta që prej krijimit të saj, ndërkohë që shumë subjekte shqiptare po detyrohen të kalkulojnë mirë efektet negative......
5 ujësjellës kërkojnë rritje tarifash - ERRU nis shqyrtimin, aplikime nga Durrësi, Elbasani, Kukësi, Bulqiza e Konispoli
5 shoqëri ujësjellësish kanë aplikuar pranë Entit Rregullator të Ujit për rritjen e tarifave për shërbimin e furnizimit me ujë dhe kanalizime, teksa ky......
Koncesionet me mbështetje buxhetore marrin kredi - ODA: 140 milionë euro për 4 kontrata, e panjohur vlera për inceneratorët e Fierit dhe Elbasanit
6 nga 13 kontrata koncesionare me mbështetje financiare nga Buxheti i Shtetit, rezultojnë të jenë financuar me shuma të konsiderueshme nga sektori bankar”. Të......
Tonelata agrume bllokohen në portet e BE-së për shkak të një mosmarrëveshje tregtare!
Tonelata portokalli po kalben në kontejnerë të ngecur në portet europiane dhe mund të shpërdorohen pasi Afrika e Jugut dhe Bashkimi Europian po përplasen në......
Kriza globale ushqimore: Nisen edhe 4 anije të tjera me grurë nga portet e Detit të Zi sipas marrëveshjes me Rusinë!
Katër anije që transportonin produkte ushqimore ukrainase u nisën nga portet ukrainase të Detit të Zi të dielën si pjesë e një marrëveshjeje për të zhbllokuar......
Mungesë e paprecedentë uji – Temperatura rekord dhe thatësirë historike në të gjithë Europën!
Qeveria franceze ka ngritur një ekip krizash për të trajtuar një thatësirë historike që ka lënë më shumë se 100 komuna pa ujë të pijshëm. Kryeministrja......
Pse tragetet elektrike fluturuese janë ‘një fitore’ për udhëtarët dhe mjedisin? – Anija më e shpejtë në botë niset vitin e ardhshëm! (FOTOT)
Anija elektrike më e shpejtë në botë do të lundrojë në Stokholm vitin e ardhshëm, duke ulur përgjysmë kohën e udhëtimit midis disa arkipelagë. Candela P-12......
Kriza thellon varfërinë në Maqedoninë e Veriut - Rritja e çmimeve dhe “ngrirja” e pagave rëndon tek familjet
Është i lartë numri i qytetarëve në Maqedoninë e Veriut të cilët pranojnë se e kanë të vëshirë të mbijetojnë me të ardhurat që marrin. Kjo për faktin se çmimet......