Shqipëria Postuar më 20 Gusht 2025, 18:21

Turistët “dynden” edhe nga deti - Korriku shënon fluks të lartë, 111.049 hyrje-dalje nga Porti i Durrësit

Nga Fabjona Pasho

Turistët “dynden” edhe nga deti - Korriku shënon fluks

Sezoni turistik ka rritur fluksin e udhëtarëve në Portin e Durrësit, ku vetëm gjatë muajit korrik janë regjistruar 111,049 pasagjerë që kanë hyrë dhe dalë përmes kësaj porte detare.

Sipas të dhënave të Autoritetit Portual Durrës, në këtë sektor kryesojnë shtetasit e huaj me 70,281 pasagjerë, ndërsa 40,768 janë shtetas shqiptarë që kanë përdorur transportin detar për pushime brenda apo jashtë vendit.

Ky është muaji më i ngarkuar deri tani për vitin 2025, duke reflektuar ritmet e larta të lëvizjes në kulmin e verës.

Terminali i Trageteve ka operuar me kapacitet të plotë në të gjitha shërbimet e tij, përfshirë edhe agjencitë private e ato shtetërore, të cilat falë bashkëpunimit kanë kontribuar në një sezon të suksesshëm dhe pa problematika të evidentuara.

Në menaxhimin e fluksit kanë qenë të angazhuara Siguria Portuale, Policia Kufitare, agjentët doganorë dhe instancat e tjera ligjzbatuese, duke bërë të mundur pritjen e 83,116 pasagjerëve dhe përcjelljen e 27,933 të tjerëve.

Autoriteti portual bën me dije se në krahasim me korrikun e vitit 2024, shifrat mbeten pothuajse në të njëjtat nivele, me një diferencë shumë të lehtë prej rreth 1% më pak, ose 1,981 pasagjerë, çka tregon një qëndrueshmëri të lartë të fluksit të udhëtarëve në këtë sektor.

Por porti i Durrësit, përveç rëndësisë së transportit të qytetarëve, mbetet një pikë e rëndësishme e transportit të mallrave. Sipas të dhënave zyrtare në gjashtëmujorin e parë të vitit 2025 janë përpunuar mbi 1,9 milionë tonë mallra ose 3,8% më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Po ashtu, mbi 104 mijë automjete, kamionë dhe trailerë janë përpunuar në port, me një rritje prej 5% në krahasim me gjashtëmujorin e parë të vitit 2024.

Në rritje ka qenë edhe sektori i kontejnerëve, me 104.180 njësi kontejnerike të përpunuara, ose 970.031 tonë mallra.

Veçanërisht, mallrat e importuara me kontejnerë kanë shënuar rritje deri në 10%.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat