Europa Postuar më 21 Dhjetor 2022, 11:53

Britanikët e kanë të ndaluar të sëmuren! - 100 mijë infermierë në grevë për rritje page dhe plotësim stafi

Nga SCAN TV
Britanikët e kanë të ndaluar të sëmuren! - 100

Pothuajse 100 mijë infermierë në Mbretërinë e Bashkuar organizuan një grevë duke kërkuar paga më të larta dhe plotësimin e stafit në sistemin e kujdesit shëndetësor të vendit. Ata u shprehën se inflacioni në vend mbetet i lartë dhe pagat reale janë tkurrur në mënyrë të konsiderueshme. Kjo është greva e dytë brenda një jave pas asaj të parës në 15 dhjetor.

Rreth 70 mijë kontrolle dhe operacione janë anuluar si pasojë e mungesës së infermierëve. Disa spitale në vend deklaruar se ishin regjistruar incidente kritike pikërisht për shkak të grevës.

Sipas të dhënave të publikuara nga Zyra për Statistikat Kombëtare, inflacioni vjetor në Mbretërinë e Bashkuar arriti në nivelin 10.7% në muajin nëntor. Si rezultat i kësaj, pagat reale për infermierët e vendit janë ulur me 20% gjatë dekadës së fundit.

Rënia e mprehtë e pagave reale dhe eksodi i stafit pas Brexit, kanë shkaktuar një problem serioz në mungesën e stafit në sektorin e infermierisë në Mbretërinë e Bashkuar. Vitin e kaluar, 25 mijë njerëz u larguan nga pozicionet e infermierisë dhe mamisë. Midis prillit dhe qershorit të këtij viti, vendet e lira të punës në pozicionet e infermierisë arritën një rekord prej 47 mijë, një rritje prej 20% krahasuar me vitin e kaluar.

Përveç infermierëve, punëtorët në sektore të tjera publike dhe private janë gjithashtu në grevë për paga dhe kushte më të mira, duke përfshirë punonjësit e hekurudhave, stafin e Postës Mbretërore, shoferët e autobusëve, mbajtësit e bagazheve të aeroportit, zyrtarët e doganave dhe kufirit dhe madje edhe shoferët e ambulancave.

Qeveria konservatore e Britanisë ka përjashtuar mundësinë e rritjes së pagave për punëtorët grevistë, duke thënë se kjo do të nxiste inflacionin. Publiku britanik, ndërkohë, mbështet gjerësisht punëtorët në grevë, pavarësisht nga ndërprerjet në shërbimet publike, sipas sondazheve.

Dorina Kurtaj / SCAN

Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat