Europa Postuar më 17 Korrik 2023, 13:09

Berlini synon të ketë divizionin e ushtrisë së NATO-s "të pajisur më mirë" në Evropë në vitin 2025!

Nga SCAN TV
Berlini synon të ketë divizionin e ushtrisë së NATO-s

Gjermania është e bindur se do të ketë divizionin më të mirë të ushtrisë mes aleatëve europianë të NATO-s në vitin 2025, tha shefi i ushtrisë Alfons Mais për Reuters, ndërsa vendet po përpiqen të përgatisin trupat e tyre pas pushtimit rus të Ukrainës.

Për momentin, Berlini nuk ka një divizion të vetëm të gatshëm luftarak, një njësi ushtarake që përfshin më shumë se 20,000 trupa. Ai synon të ketë të parën nga tre divizionet funksionale deri në vitin 2025, me të dytin që do të pasojë në 2027.

Gjenerallejtënant tha se Gjermania do të sigurojë fillimisht dy brigada të mekanizuara, një brigadë të mesme - më pak të armatosur - më vonë dhe do të përforcohet nga një brigadë holandeze. Një brigadë ka rreth 5000 trupa.

Divizionet janë blloqet kryesore organizative të forcave tokësore që do të nevojiteshin për të trajtuar një konflikt me një kundërshtar tjetër.

Vendet perëndimore po përpiqen të rindërtojnë dhe ripajisin divizionet e tyre pasi dekada të tëra duke luftuar luftëra më të vogla në Irak ose Afganistan i panë ato të lënë pas dore, të shkëputura dhe të zhveshura nga armët dhe municionet.

Mais pranoi se do të jetë ambicioze furnizimi i divizionit me municion të mjaftueshëm deri në vitin 2025, në një kohë kur vendet perëndimore po furnizojnë sasi të mëdha predhash në Kiev, duke varfëruar më tej stoqet në rënie të rëndë që nga fundi i Luftës së Ftohtë.

Shefi i ushtrisë tha se ky ishte një problem me të cilin po përballeshin të gjithë partnerët e NATO-s."Por mbështetja e Ukrainës është më e rëndësishme tani sesa krijimi i një divizioni, siç ka theksuar Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg," nënvizoi ai.

Sa i përket divizionit të dytë gjerman, i cili është menduar të jetë gati për luftim në vitin 2027, Mais tha se pajisja e tij plotësisht varej masivisht nga mbërritja e blerjeve nga fondi special prej 100 miliardë eurosh që do të materializohej në nivel trupash.

Në një ndryshim të madh të politikës, kancelari gjerman Olaf Scholz shpalli një "Zeitenwende" (pikë kthese historike) pas pushtimit rus të Ukrainës në shkurt 2022 dhe themelimit të fondit special për të modernizuar një ushtri gjermane që vuante nga dekada neglizhencë financiare.

Edel Strazimiri / SCAN

Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat