Europa Postuar më 17 Korrik 2023, 10:28

Francë, qeveria redukton ndjeshëm shpenzimet - Vitin e ardhshëm do të përdoren 4.2 miliardë euro më pak

Nga SCAN TV
Francë, qeveria redukton ndjeshëm shpenzimet - Vitin e ardhshëm

Aktualisht qeveria franceze po ndërmerr disa hapa për të kursyer duke arritur objektivin e 4.2 miliardë euro shpenzime më pak në vitin 2024. Hapi i parë është ndërprerja e subvencioneve masive për konsumatorët për karburante dhe energji

 Qeveria franceze pret të shpenzojë 4.2 miliardë euro më pak në vitin 2024 pasi vendosi të reduktojë subvencionet masive të konsumatorëve për karburant dhe energji elektrike. Shifra u konfirmua nga vlerësimet paraprake të buxhetit dërguar parlamentarëve.

Ministri francez i buxhetit u shpreh se për herë të parë në gati një dekadë, shpenzimet do të ulen në krahasim me vitin e kaluar: 4.2 miliardë euro më pak. Kjo do të përkthehej në një rënie prej 3.5% nga viti në vit.

Në përpjekjen e saj për të mbrojtur konsumatorët nga rritja e faturave të energjisë fillimisht në mes të fushatës së rizgjedhjes së presidentit Emmanuel Macron në vitin 2022, qeveria miratpi dhe aplikoi skema masive për të subvencionuar çmimet e karburanteve dhe energjisë elektrike.

Ndërsa çmimet e energjisë kanë filluar të lehtësohen përsëri, këto masa do të hiqen gradualisht gjatë muajve të ardhshëm, duke i dhënë fund shpenzimeve të jashtëzakonshme të krizës dhe duke kursyer, për të financuar tranzicionin e gjelbër.

Qeveria e Macron ka qenë nën presion për të rivendosur financat e saj në ekuilibër pasi Fitch në prill uli vlerësimin e saj në AA- për shqetësimet rreth paralizës së mundshme politike dhe trazirave sociale pas miratimit të një reforme jopopullore të pensioneve.

Agjencia rivale S&P në qershor i kurseu Francës ‘turpin’ e uljes së borxhit sovran të vendit, por mbeti e kujdesshme në lidhje me perspektivën për shkak të financave të tendosura publike.

Shpenzimet e tepërta janë bërë një çështje edhe më emergjente pasi kostot e huamarrjes sovrane janë rritur ndjeshëm, sepse shumë nga bankat qendrore kryesore të botës kanë nisur një proces të rritjes së normave të interesit në luftën e tyre kundër inflacionit. Ministri i Financave Bruno Le Maire i ka kërkuar çdo ministrie të identifikojë reduktimet me vlerë 5% të buxhetit të tyre.

Një burim i ministrisë së financave tha se ulja e borxhit të Francës do të arrihet me mjete të ndryshme, duke përfshirë kursimet në politikat e punësimit dhe strehimit.

Dorina Kurtaj / SCAN

Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat