Europa Postuar më 24 Maj 2022, 12:33

BE: Blerje e përbashkët gazi para dimrit - Për herë të parë vendet anëtare do të veprojnë njëkohësisht për rezervat

Nga SCAN TV

Bashkimi Europian planifikon të fillojë blerjen e përbashkët të gazit përpara dimrit, në përpjekje për të reduktuar varësinë nga karburantet fosile ruse dhe për të ndërtuar një zonë mbrojtjeje kundër goditjeve të mëtejshme në sektorin e furnizimit me energji.

Komisioni Europian, krahu ekzekutiv i BE-së, propozoi një javë më parë një plan se si blloku mund të hiqte dorë plotësisht nga karburantet fosile ruse deri në vitin 2027, duke përshpejtuar investimet në energjinë e rinovueshme, duke kursyer energji dhe duke kaluar në lëndët djegëse fosile jo-ruse.

Rusia, e cila furnizon 40% të gazit të BE-së, që nga pushtimi i saj në Ukrainë, ka ndërprerë furnizimin me Poloninë, Bullgarinë dhe Finlandën, pasi ato refuzuan të paguajnë karburantin në rubla.

Në një intervistë për agjencinë e lajmeve Reuters, kreu për politikat energjetike të BE-së, Kadri Simson tha se blloku synonte të fillonte blerjen e përbashkët të gazit këtë vit, mbështetur nga një platformë e BE-së e nisur muajin e kaluar që do të bashkonte kërkesën e vendeve dhe do të koordinonte përdorimin e infrastrukturës për të importuar furnizime jo-ruse.

Blerja e përbashkët do të jetë në mënyrë vullnetare për vendet anëtare. Analistët shprehen se skema mund të funksionojë për të siguruar vëllime të konsiderueshme nga tregu global me furnizim të kufizuar ose për të nisur blerjet sa më shpejt, duke pasur parasysh kompleksitetin e koordinimit midis kompanive, qeverive dhe Brukselit.

Simson tha se duke vepruar së bashku, vendet e BE-së mund të fitojnë akses në furnizime që në të kundërt nuk do të ishin të disponueshme.

Simson shtoi se ka vëllime të kufizuara të gazit të disponueshëm në tregun global për këtë vit. Dhe disa prej tyre po vijnë në treg vetëm për shkak të vendimeve politike, duke iu referuar marrëveshjes SHBA-BE. Sipas saj Shtetet e Bashkuara të Amerikës furnizojnë Europën me 15 miliardë metra kub gaz natyror të lëngshëm këtë vit.

Brukseli tha se vendet duhet të përdorin kryesisht burimet e rinovueshme dhe të kursejnë energji për të zëvendësuar ato vëllime dhe pret që kërkesa për gaz të ulet me 30% deri në vitin 2030 sipas objektivave të BE-së për ndryshimin e klimës.

Por në termat e afateve të shkurtra, Europa mbetet e varur nga lëndët djegëse fosile. BE-ja ra dakord për një ligj që u kërkon vendeve të mbushin depozitat e gazit 80% përpara dimrit, për të ndihmuar në sigurimin e një zone të mbrojtur kundër goditjeve në sektorin e furnizimit me lëndë djegëse fosile.

SCAN

Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat