Shqipëria Postuar më 30 Qershor 2022, 15:45

Bashkia e Tiranës shkel detyrimet për taksën e infrastrukturës - Ligji e detyron ta shpenzojë për investime publike, por as gjysma nuk shkon për këtë qëllim!

Nga SCAN TV
Bashkia e Tiranës shkel detyrimet për taksën e

Teksa ka mbledhur miliarda lekë nga taksa e ndikimit në infrastrukturë, Bashkia e Tiranës ka shkelur detyrimet ligjore për shpenzimin e këtyre të ardhurave, duke mos i çuar për investime publike. Sipas Raportit të Financave Vendore, të hartuar nga Instituti për Zhvillimin e Habitatit, Co-Plan, gjatë vitit të kaluar Bashkia e Tiranës mblodhi 7.3 mld lekë nga kjo taksë, por as gjysma e tyre nuk është përdorur për rregullimin e rrugëve, urave, hapësirave publike, objekteve me rëndësi publike, etj. Sipas nenit 12, të ligjit për “Për financat e vetëqeverisjes vendore”, “të ardhurat nga taksa e ndikimit në infrastrukturë të ndërtimeve të reja, kryesisht, përdoren për financimin e investimeve publike vendore”.

Por ndryshe nga ky detyrim ligjor, të dhënat tregojnë se vetëm 45% e tyre u shpenzuan në linjë me qëllimin për të cilin ajo mblidhet, ndërkohë që pjesa tjetër ka shkuar për paga e sigurime punonjësish apo shpenzime të tjera operative. Sipas Raportit të Financave Vendore , Bashkia e Tiranës është një nga 4 bashkitë e vendit, ku të ardhurat nga kjo taksë jo vetëm që arrijnë të mbulojnë tërësisht shpenzimet kapitale me fonde të veta, por edhe t’i tejkalojë ndjeshëm ato, teksa për kryeqytetin ky tregues është 220%.

“Thënë ndryshe në këto bashki, sforco për investime mund të kishte qenë edhe më e lartë nëse do t’i referoheshim të ardhurave të mbledhura nga taksa e ndikimit në infrastrukturë”,-  shtohet në raport, duke specifikuar se aktualisht kemi të bëjmë me situatë investimesh nën kapacitet nisur nga këto të ardhura. Sipas të njëjtit dokument, gjatë vitit 2021, këto të ardhura për Bashkinë e Tiranës u rritën me rreth 14% krahasuar me një vit më parë, teksa zgjerimi i peshës së këtij zëri në buxhet vlerësohet të jetë ndikuar ndjeshëm nga numri i lejeve të ndërtimit.

Përgjatë vitit 2021, në të gjithë vendin u dhanë rreth 1,396 leje, teksa 15% apo 210 prej tyre janë dhënë vetëm nga Bashkia e kryeqytetit. Ndërkohë që, bazuar në informacionin për lejet e ndërtimit të dhëna periudhën janar – shtator 2021, në bashkinë Tiranë do të shtohen rreth 1.1 milionë metër katrorë sipërfaqe ndërtimore të reja apo rreth 67% e sipërfaqes totale ndërtimore të re në Shqipëri në të njëjtën periudhë.

Por, sipas raportit të hartuar nga Co-Plan, teksa rritja e numrit të lejeve të reja të ndërtimit, ka kontribuar pozitivisht në rritjen e të ardhurave për bashkitë, nga ana tjetër, i vendos ato në një pozicion sfidues për ofrimin e infrastrukturave të nevojshme publike, që gjithashtu kërkojnë financime si në zhvillim fillestar, ashtu dhe në mirëmbajtje të vazhdueshme.

Në total, vlerësohet se rreth 37% e fondeve që Bashkia e Tiranës mbledh nga taksat dhe tarifat, shkon për mbulimin e shpenzimeve për personelin, rreth 42% për shpenzimet operative, teksa vetëm 21% për shpenzimet kapitale. Ndërkohë që, sipas raportit, ky nivel investimesh vlerësohet të jetë i pamjaftueshëm për të mundësuar zhvillimin afatgjatë të tyre dhe ndërmarrjen e projekteve të investimeve të mëdha të cilat mund të kenë ndikim të gjerë në territor.

Ola Mitre / SCAN

https://www.youtube.com/watch?v=Yh72fm3jGWU

Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat