Analiza Postuar më 20 Shtator 2022, 10:38

PROFIL/ ADAM SMITH: Vizioni modern për pasurimin e kombeve!

Nga SCAN TV
PROFIL/ ADAM SMITH: Vizioni modern për pasurimin e kombeve!

Evropa e shekullit të 18-të po përjetonte revolucion. “Fara e mbjellë” nga Rene Dekarti në 1637-ën po lulëzonte fara. Në mbyllje të veprës së tij ‘Diskutim për Metodën’ ai shkruante se “nëpërmjet shkencës njeriu mund ta zotërojë natyrën".

Shpërthimi i mendimit europian, në shekullin që shënon përballjen përfundimtare me dogmat kishtare, bëri që gjithnjë e më shumë njerëz të ndiqnin rrugën e Frensis Bekonit dhe Nikolla Kopernikut në kërkim të shpjegimeve racionale për ngjarjet e natyrës.

Adam Smith i përket kësaj lëvizjeje. Ashtu si Galileo dhe Njutoni, Smith kërkonte të zbulonte lidhjet shkak-pasojë. Por, në vend të përqëndrimit të vëmendjes te planetët, ai u fokusua te njerëzit. Në leksionet e tij, ai qe shprehur se “Njeriu është një kafshë me një shpirt të mbushur nga ndjenja e padurimit për të zbuluar gjëra të reja.”

Kush ishte Adam Smith?

Adam Smith u lind në vitin 1723 dhe u rrit nga e ëma në Kirkaldi, një port i vogël afër Edinburgut. Babai, një nëpunës dogane, kishte vdekur disa muaj para lindjes së tij. Vetë Smith nuk u martua kurrë. Ai ishte një skocez me një pamje jo tërheqëse. Me një hundë të gjerë, sy të mëdhenj, buzën e poshtme të shtrembër, vuante nga një tik nervor që e pengonte të mbante fjalime. I ndërgjegjshëm për këtë, Smith vetë e pati shkruar se “tek unë nuk ka asgjë të bukur, përveç librave”.

Si student i mirë, ai hyri në Universitetin e Gllasgout që në moshën 14-vjecare dhe më vonë fitoi një bursë studimore në Oksford. Por parehatia e tij me mjedisin e jashtëm bie në sy vazhdimisht. Si në rastin kur ai denoncon lektorët e tij: “Në Universitetin e Oksfordit, shumica e profesorëve publikë kanë hequr dorë prej vitesh madje edhe në dukjen e mësimdhënies”. Po ashtu Smith ankohej edhe ndaj administratës për censurë. I kishin konfiskuar një kopje të ‘Traktati mbi natyrën njerëzore’ të Devid Hjumit, duke e ndaluar të lexonte një nga librat më të fuqishëm të kohës së vet.

I ndikuar nga skepticizmi i Hjumit, ai heq dorë nga studimi i teologjisë dhe kthehet në Kirkaldi, ku filloi të jepte leksione publike për retorikën dhe legjislacionin. Në vitin 1748 Smith u kthye në Universitetin e Gllasgout ku jepte lëndën e logjikës. Vitin tjetër zuri vend në katedrën e filozofisë morale, duke pasuar një nga ish mësuesit e tij. Shumë larg nga stili i profesorëve të përgjumur të Oksfordit, të cilët i kishte sulmuar hapur, Smithi profesor u shqua menjëherë për cilësinë e leksioneve të tij të shkëlqyera dhe përparoi në karrierë duke u bërë më vonë dekan i fakultetit.

Smith asnjëherë nuk mbajti ndonjë kurs leksionesh në ekonomi. Deri në shekullin e 19, akademikët e konsideronin ekonominë si degë të filozofisë. Megjithatë, Smith hartoi disa leksione për ekonominë që i përfshiu në lëndën e jurisprundencës. Aty ai hedh idetë e para duke shënuar zanafillën e analizës së tij për ekonominë, ide që do të trajtohen hollësisht më vonë. Që në atë kohë Smith shkruante: “Ndarja e punës është shkaku kryesor i rritjes së pasurisë publike, e cila është gjithnjë proporcionale me atë të industrisë dhe të njerëzve, dhe jo me sasinë e arit dhe të argjendit, siç imagjinohet marrëzisht.”

 

Adam Smith filozof

Shumë kohë përpara se të shkruante ‘Pasuria e Kombeve’, Smith kishte fituar famë që në 1759 me botimin e librit për etikën e sjelljes, ‘Teoria e sentimenteve morale’. Me rritjen e shitjeve të librit, ai u bë i njohur si "Smith filozofi". Teoria e sentimenteve morale ndiqte traditën e Iluminizmit. Ashtu sikurse shkencëtarët kërkonin për origjinën e sistemit diellor, Smith u vu në kërkim të origjinës së moralit të miratimit dhe mosmiratimit.

Si mundet që një njeri, që interesohet vetëm për veten, të mund të bëjë gjykime që të kënaqin dhe njerëzit e tjerë? Mbi të gjitha, çdo individ qëndron në qendër të sistemit të tij, ashtu si dielli qëndron në qendër të planeteve. A i bëhet vonë diellit se çfarë mendojnë planetet e tjera më të vegjël? Smith u përpoq të shqyrtojë këtë paradoks. Dhe gjeti një përgjigje të mençur. Kur njerëzit ballafaqohen me zgjedhje morale, thoshte ai, ata imagjinojnë një “spektator të paanshëm”, i cili i gjykon dhe i këshillon me kujdes. Në vend që thjesht të ndjekin interesin e tyre vetjak, ata udhëhiqen nga këshilla e vëzhguesit imagjinar dhe vendosin mbi bazën e simpatisë dhe jo të interesit vetjak.

Shumë kritikë i bëjnë ekonomistët përgjegjës, për shkak se ata i bazojnë supozimet e tyre vetëm tek interesi vetjak, se kujdesen vetëm për kostot dhe përfitimet dhe se nuk marrin në konsideratë anën fisnike të njeriut. Ky sulm mund t'iu drejtohet shumë prej tyre, por jo Adam Smithit. Ai u kushtoi një libër të tërë këtyre emocioneve. Madje shumë nga konceptet e përdoruara nga ai një shekull më vonë u bënë baza e psikoanalizës frojdiane.

Shpejt reputacioni i Smithit u përhap në Britani dhe në Kontinent. Prindërit e pasur që dëgjonin për famën e skocezit i hoqën bijtë e tyre nga shkollat në Francë e Zvicër për ti regjistruar në Gllasgou. Atje, sigurisht që Smith nuk qëndronte i mbyllur. Në Gllasgou ai takonte bankierë, tregtarë dhe politikanë. Në Klubin e Ekonomisë Politike, ai u përpoq të kuptonte se si vepronte realisht një biznesmen. Që atëherë ai nuk do të besonte te motivet e tregtarëve në bërjen e biznesit.

 

Franca dhe fiziokratët

Pavarësisht suksesit, Gllasgou filloi “ti rrinte ngushtë”. Më 1764 Smith, sapo ju dha rasti nuk nguroi të japë doreheqjen si profesor dhe të bëhej kujdestari i djalit të një Duke. Puna e re i dha mundësinë të shëtiste në Europë. Ai ndihmonte djalin të zhvillonte elegancën dhe e shoqëronte në ceremoni të mëdha, kundrejt një pagese prej 300 stërlinash në vit. Ishin dyfishi i të ardhurave që merrte më parë!

Pasi la Gllasgoun, ndalesa e parë ishte në Tuluz të Francës. Nuk dinte fare frengjisht. Por në vend të një jave, ai qëndroi atje një vit e gjysmë. Tuluza e frymëzoi të përqëndrohej e të shkruante për teorinë ekonomike. Në një letër që i drejtonte Devid Hjumit, shkruante se “për të kaluar kohën kam filluar të shkruaj një libër”.

Pas jugut të Francës, u zhvendos në Gjenevë, ku u takua me Volterin, e më tej vijoi për në Paris. Atje iu gëzua teatrit, takoi personalitete interesante, përfshirë Benjamin Franklinin dhe zbuloi një shkollë të gjallë të ekonomisë të quajtur fiziokratët. Shkolla ishte themeluar nga Fransua Kuisni, një mjek i Oborrit të Luigjit XV. Fiziokratët kishin hartuar të ashtuquajturën ‘Tableau economique’ e cila paraqiste disa ide të thjeshta me një gjuhë dhe skemë misterioze. Ashtu si mjekët që kishin filluar të zbërthenin trupin e njeriut dhe të ndërtonin skemën e qarkullimit të gjakut, Kuisni dhe fiziokratët ndërtuan skemën e qarkullimit të të ardhurave në ekonomi.

Fiziokratët argumentonin në mënyrë energjike dy çështje: së pari se pasuria buronte nga prodhimi dhe jo nga blerja e arit dhe argjendit dhe së dyti se vetëm prodhimi bujqësor krijonte pasuri, ndërsa tregtarët, manifaktura dhe punët e tjera nuk krijonin pasuri, por vetëm e qarkullonin atë. Në një provim të lëndës së teorisë ekonomike, ata do të merrnin vetëm gjysmën e pikëve. Ata kishin të drejtë kur thoshin se një vend është më i pasur kur prodhon mallra më tepër se sa thjesht nga grumbullimi dhe ruajtja e metaleve të çmuara, por ata nuk kishin të drejtë kur pohonin se manifaktura, tregtia dhe industritë e shërbimeve janë "sterile" dhe joproduktive.

Adam Smith i dëgjoi me kujdes idetë e francezëve. Analizat e tyre konfirmuan disa nga idetë e tij. Por ai nuk ishte dakord me ndarjen në sektorë prodhues dhe sektorë sterilë. Megjithatë Smith-i e pranonte se "Fiziokracia, me gjithe mospërsosjen e vet, është ndoshta përafrimi më i madh tek e vërteta për të cilën është shkruar në subjektin e ekonomisë politike".

Në vitin 1766, vdekja e xhaxhait të djalit që kishte në kujdestari, e detyroi Smith-in të kthehej në Kirkaldi duke kaluar nga Londra. Në dhjetë vitet në vijim ai punoi për librin e tij. Vizitonte shpesh Klubin Letrar të Londrës për të diskutuar idetë e veta duke rrëkëllyer gota uiski së bashku me Eduard Gibonin, Edmund Burken, Samuel Xhonsonin dhe Xhejms Bosuellin.

 

‘Pasuria e Kombeve’

Më në fund, në mars 1776 ai botoi ‘Pasuria e Kombeve’, librin që e shkroi “për të kaluar kohën”. Hjumi, heroi i Smithit, e vlerësoi publikisht librin, por paralajmëroi se popullariteti do të vinte me vonesë. Për herë të parë Smith u kënaq nga gabimi i Hjumit. Suksesi qe i menjëhershëm. Botimi i parë u shit brenda gjashtë muajsh. Smith u bë yll për gjithë botën. Me ato nëntëqind faqe analiza, profeci, fakte dhe fabula – të shkruara qartësisht dhe këndshëm - ai synonte të ndihmonte lexuesin për të kuptuar ekonominë. Tek ‘Pasuria e Kombeve’ spikat një Smith i mprehtë dhe skeptik. Libri është njëkohësisht një guidë drejt optimizmit.

Pikërisht, në shpërthim të Revolucionit Industrial, Smith e sheh atë në mënyrë mjeshtërore në këndvështrimin e ndikimit social. Ai i drejtohet politikës ekonomike pa njëanshmëri. Askush nuk mund ta kritikojë atë për mungesë sinqeriteti ose lëvdata të pamerituara. Ai mbështet krijimin e borgjezisë, por edhe paralajmëron shoqërinë të mos betohet për mirësitë e saj. Në një kuptim, publikimi në 1776 i ‘Pasuria e Kombeve’, shënon deklaratën e pavarësisë së teorisë ekonomike.

Titulli përbën njëherazi dhe çelësin e kryeveprës së Smith: Një shqyrtim mbi natyrën dhe shkaqet e pasurisë së kombeve. Ai fokusohet në një objektiv të posaçëm: të zbulojë ligjet e shkakësisë dhe të shpjegojë se si krijohet pasuria. Ai përshkruan ligjet që  drejtojnë aktorët ekonomikë dhe pastaj konkludon për ndërlikimet e këtyre ligjeve të sjelljes për shoqërinë. "Aktorët ekonomikë" mund të tingëllojë si term teknik, por Smith nënkuptonte me këtë njerëzit, pasi secili, në një moment të caktuar të ditës, është një aktor ekonomik. Ai nuk mund të ndërtonte një teori ekonomike pa kuptuar njerëzit. Këtu ai ndoqi Makiavelin dhe Hobsin, të cilët e shihnin njeriun siç është dhe jo siç duhet të jetë.

Shtytësit e rëndësishëm natyrorë ose "prirjet" që Smith zbulon te natyra njerëzore, formojnë bazën e analizës së tij dhe të vetë ekonomiksit klasik. Qeniet njerëzore dëshirojnë të jetojnë më mirë. Smith zbuloi një “dëshirë për të përmirësuar kushtet e jetesës që, megjithëse vjen përgjithësisht e qetë dhe pa pasione, ajo na shoqëron nga ngjizja deri në varr…Rrallë mund të ketë ndonjë moment të vetëm ku një njeri është tërësisht dhe përsosmërisht i kënaqur me gjendjen e tij dhe të mos këtë asnjë dëshirë për të ndryshuar ose përmirësuar dicka”.

Së dyti, Smith-i nënvizon se “prirja e natyrshme e njeriut ... për të dhënë e për të marrë, për të këmbyer një send me një tjetër ... është e përbashkët për të gjithë njerëzit”.

Për të rritur pasurinë e kombeve, Smith argumenton se shoqëria duhet të shfrytëzojë këto prirje natyrore. Qeveria nuk duhet të kufizojë interesin vetjak te njerëzit, pasi interesi vetjak është një burim i pasur natyror. Njerëzit do të ishin budallenj dhe kombet do të varfëroheshin nëse ata do të varen nga bamirësia dhe altruizmi. Në pasazhet më të cituara të historisë së mendimit ekonomik, Smith pohon: “Ne nuk presim që tryeza jonë të shtrohet në saj të mirëbërësisë së prodhuesit të birres apo të bukëpjekësit, por nga kujdesi që ata tregojnë për interesin e tyre personal”. Edhe ata që e kanë për kënaqësi therjen e kafshëve, prodhimin e birrës ose pjekjen e bukës, nuk do ta bënin këtë gjë gjithë ditën nëse nuk do të merrnin ndonjë kompensim.

Por në dukje kishte një kontradiktë. Nëse secili ndjek në mënyrë të pavarur qëllimet e tij, pse shoqëria nuk i ngjan anarkisë? A nuk do të kishim një aksident të frikshëm nëse përplaseshin interesat vetjake? A do të mbijetonte shoqëria nëse nuk ka një autoritet të planifikimit qendror që të vendosë çfarë duhet prodhuar dhe kush ta prodhojë?

Smith argumentonte se shoqëria jo vetëm do të mbijetojë, por komuniteti do të jetë shumë më mirë se cilido komunitet me planifikim qendror. Ai kishte studiuar astronomi dhe kishte përqafuar idenë e një harmonie natyrore të planetëve edhe pse secili planet lëvizte në trajektoren e vet. Njerëzit, mendonte ai, mund të lëvizin në drejtime të ndryshme dhe përsëri të harmonizohen e ndihmojnë njeri-tjetrin – ndonëse jo në mënyrë të qëllimshme. Në thënien e tij klasike Smith pohon se nëse njerëzit ndjekin qëllimet e tyre individuale, e gjithë shoqëria bëhet më e begatë. Ajo udhëhiqet nga një dorë e padukshme. Është kjo "dorë e padukshme" që u bë simboli transparent i ekonomiksit të Smith-it. Dora e padukshme simbolizonte thjesht dirigjentin e vërtetë të harmonisë sociale, ekonominë e tregut.

 

Ndarja e punës

Smith nuk synon të tregojë se si dora e padukshme rregullon prodhimin, çmimet dhe fitimet. Por skocezi i këndshëm na tregon se si rritet pasuria e kombeve. Ai e thotë gjithçka me një përgjigje me dy fjalë: ndarja e punës. Ai e argumentoi këtë me logjikë dhe në mënyrë empirike. Kjo duket kur ai përshkruan një fabrikë gjilpërash, me një nga pasazhet më të famshme të mendimit ekonomik:

“Një punonjës i pamësuar me ... zejen e gjilpërëpunuesit ... edhe po t'ia hynte me zellin më të madh, nuk mund të prodhonte më tepër se një gjilpërë në ditë, e jo më njëzet të tilla. Por nga mënyra si ushtrohet sot ky aktivitet, jo vetëm që e tërë puna përbën një zeje të veçantë, por ajo ndahet edhe në disa degë nga të cilat shumica janë po ashtu zeje të veçanta ... Ne kemi parë një manifakturë të vogël të këtij lloji ku punonin vetëm dhjetë veta e ku ... këta ... mund të prodhonin së bashku 48 mijë e ca gjilpëra në ditë ... Po të kishin punuar ndarazi, në mënyrë të pavarur, e të mos kishin asnjë njohuri për këtë aktivitet të veçantë, asnjëri prej tyre nuk do të prodhonte njëzet gjilpëra në ditë."

Pra thjeshtë specializimi dhe ndarja e detyrave bën që prodhimi i një dite mund të shënojë një rritje shpërthyese. Smith nënvizoi tri mënyra se si ndarja e punës rrit prodhimin: Së pari, secili punëtor zhvillon më shumë aftësi për detyrën e tij të veçantë. Së dyti, punëtorët humbasin më pak kohë, duke kaluar nga një detyrë te tjetra. Së treti është më e mundshme që punëtorët e specializuar të përmirësojnë makinat me të cilat punojnë përditë.

Smith besonte se punëtorët, më shumë se inxhinierët, shpesh bëhen protagonistë të shpikjeve. Ai e fillon vlerësimin për ndarjen e punës te ndikimi në rritjen e produktivitetit dhe e mbyll me njohjen e rolit të ndarjes së punës në përparimin teknologjik. Më tej ai nënvizoi se ndarja e detyrave çon në një divergjencë në nivelet e pagave midis punëve të ndryshme. Hipoteza komplekse e Smith-it për nivelet e pagave paraprihet nga një diskutim i thellë dhe i përpiktë. Ai u dha teoricienëve të ekonomisë argumente të mjaftueshme, se përse një grup paguhet më shumë se një tjetër.

 

Ekonomia e tregut

Ndarja e punës, sipas Smith, mund të ndodhe dhe më gjerë, mes qyteteve dhe rajoneve e jo vetëm mes punetorëve të një fabrike. Qytete të caktuara mund të specializohen po ashtu siç specializohen profesione të caktuara. Në themel të këtij konstatimi qëndron një zbulim tjetër i madh: pasuria e kombeve mund të rritet nëse tregjet zgjerohen; domethënë nëse hapen gjithnjë e më shumë tregje e  rrugë tregtare.

Smith pra nuk zbuloi se thjeshtë vetëm ndarja e punës sjell pasurimin e kombeve. Tregtia e lirë midis prodhuesve, furnizuesve, qyteteve dhe rajoneve është po kaq e rëndësishme. Sa të vlefshme janë 10,000 gjilpëra nëse nuk arrijnë të tregtohen për shkak të kufizimeve tregtare apo kostove të larta të transportit? Prodhuesi madje mund të mos prodhojë fare gjilpëra.

Duke bërë thirrje për tregti të lirë, Smith argumentonte se Anglia do të përfitonte nga tregtia, nëse ajo blinte nga vendet e tjera me një çmim më të lirë se sa kostoja e prodhimit në Angli. Anglezët mund të mos i pëlqejnë francezet, por nëse një shishe verë franceze kushton 1 paund, ndërsa në Angli kushton 2 paund, do të ishte marrëzi që Anglia të prodhonte verë. Sipas Smith-it, kombet duhet të importojnë produktet në të cilat vendi tjetër ka avantazh absolut.

Megjithëse Smith-i fliste pa pushim për tregtinë e lirë dhe kauzën e tregtarëve, ai nuk ishte një pushkë në duart e borgjezisë. Pasuria e kombeve vlon me zemërim dhe kritikë ndaj tregtarëve. Smith ngrinte në qiell tregtinë e lirë dhe ndarjen e punës pasi ishte i bindur se kjo ndihmonte më shumë njerëzit e zakonshëm se sa princat. Ai sugjeronte me pasion se në ekonominë e tregut edhe të varfërit dhe njerëzit pa pushtet, mund të rrisin standartin e jetesës. Në kontrast, në një sistem të centralizuar, pushteti politik përcakton pozitën ekonomike: vetëm miqtë dhe të afërmit e mbretërve e lordëve mund të bëhen të pasur.

Megjithëse Smith besonte se kishte zbuluar sekretin e të pasuruarit, ai nuk u udhëhoq nga mendimi të ndërtonte një dogmë të pagabueshme. Ai pranonte hapur të metat dhe dështimet e ndarjes së punës dhe kishte ndjeshmëri më shumë se vetëm për kostot dhe përfitimet. Ai trembej se të rreshtuarit në një linjë montimi zinxhir, do të robëronte inteligjencën dhe shpirtin e punëtorëve, “Një njeri, jeta e të cilit është harxhuar duke kryer disa operacione të thjeshta, efektet e të cilave janë ndoshta përherë të njëjta ..... nuk ka rast të ushtrojë dijen ose krijimtarinë e tij në gjetjen e zgjidhjeve për kapërcimin e vështirësive... Natyrshëm ai humbet zakonin e ushtrimeve të tilla, dhe përgjithësisht bëhet aq budalla dhe i paditur sa ç'mund të bëhet qenia njerëzore.”

Mund të thuhet pa frikë se vepra e tij ‘Pasuria e Kombeve’ e parashikoi me saktësi matematike zhvillimin e ardhshëm ekonomik. Smith e shihte punën si gjeneratorin e rritjes ekonomike, që përshpejtohet kur:

  1. Rritet oferta e punës,
  2. Puna ndahet në shumë specialitete, dhe
  3. Cilësia e punës rritet në sajë të makinave të reja.

Sa kohë që vazhdojnë idetë e reja për investime fitimprurëse dhe shpikjet vazhdojnë të burojnë nga imagjinata dhe shkëmbimet e lira nuk pengohen, rritja ekonomike do të vijojë pafundësisht. Dhe më e rëndësishmja është që publiku do të gëzojë një standart më të lartë të mirëqenies së vet.

 

Politika dhe praktika

Adam Smith i paralajmëroi ligjvënësit se grupet e interesit do të bënin presione të forta ndaj masave që rrisin pasurinë e kombeve. Paralajmërimet e tij ende duhen dëgjuar në parlamentet dhe kongreset në të gjithë botën. Ai i paraqiti hollësisht rreziqet e së ardhmes. Ndër shqetësimet e tij politike ishin pasojat që mund të sillnin kufizimet në prodhim dhe tregti.

Smith shikonte se disa herë tregtarët siguronin fitime të ekzagjeruara. Pse ndodhte kjo? Ai dha argumentet e tij. Sipas tij fitimet jonormale sigurohen kur nje grup i vogël tregtarësh bashkohen në një pakt për të mbajtur çmime të larta, apo për të ulur pagat. “Ndonjëhere ata krijojnë aleanca të veçanta për t'i ulur pagat edhe më poshtë se norma aktuale”, shkruante ai. Smith thoshte se për pakte të tilla djallëzore tregtarët futin në punë qeverinë që ta bëjë punën e djallit. Ai u ndesh fuqimisht me monopolet e dhëna dhuratë nga qeveria. “Duke e mbajtur vazhdimisht tregun nën sasinë e mjaftueshme, duke e lënë përherë të paplotësuar kërkesën efektive, monopolistët i shesin mallrat e tyre me çmim shumë më të lartë se çmimi natyror.”' Ekonomistët modernë këmbëngulin se për shkak të konkurrencës ndërkombëtare, vizioni i Adam Smithit po rritet gjithnjë e më shumë.

Duke provuar teorinë e avantazheve absolute, Smith sulmoi pa mëshirë tregtarët që lobonin dhe qeveritë që dorëzoheshin ndaj kërkesave për mbrojtje nga prodhuesit e huaj. Nëpërmjet tarifave ose kuotave qeveria detyron konsumatorët të subvencionojnë tregtarët, sepse konsumatorët paguajnë çmime më të larta. Pa konkurrencën e huaj tregtarët vendorë rrisin çmimet dhe fitimet e tyre.

Smith vuri në dyshim dhe hodhi poshtë argumentin e "industrisë foshnjore" që kërkon tarifa "të përkohshme" gjatë viteve të para të zhvillimit. Ai dyshonte se qeveria nuk do të kishte vullnetin e nevojshëm politik për të hequr subvencionet, pasi industria të rritej. Ai nuk kishte simpati për përdorimin e tarifave si kundërmase ndaj proteksionizmit. Ndaj Smith qartësisht e përcaktoi rolin e qeverisë:

Së pari, për mbrojtjen kombëtare;

Së dyti, për administrimin e drejtësisë nëpërmjet një sistemi gjyqësor;

Së treti, për mbajtjen e institucioneve dhe të burimeve publike si rrugët, kanalet, urat, sistemin arsimor dhe dinjitetin e sovranit.

Adam Smith mbeti i famshëm për më shumë se dy shekuj. Ai nuk e shpiku tregun; nuk shpiku as teorine ekonomike. Por ai i mësoi botës tregun dhe teorinë ekonomike. Pasuria e Kombeve ofroi gati gjithçka që ekonomistët deri në atë kohë nuk e dinin. Dyqind vjet pas Pasurisë së Kombeve, idetë e Smith jetojnë anembanë globit. Po me Smithin vetë çfarë ndodhi? Pasi u shoqërua me njerëzit më të famshëm të kohës së tij, pasi pa veprën ti përkthehej gati në çdo gjuhë europiane, pasi fitoi nderim në gjithë Britaninë e në Kontinent, pasi pa qeveritarët, profesorët dhe studentët të mbanin shënime kurdo që ai fliste, ai i shpenzoi tridhjetë vitet e mbetura të jetës deri sa vdiq në vitin 1790, duke punuar për Komisionerin e Doganave të qeverisë së Madhërisë së Saj. Ai ishte një tolerant që ndihmoi në pasurimin e kombeve.

Përgatiti: Adi Darsi. (Nga emisioni: Filozofët e parasë)/ SCAN

Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat