Shqipëria Postuar më 11 Prill 2023, 15:26

5 dhomat kryesore të tregtisë, Qeverisë: Përmirëso klimën e biznesit - Deklarata e Përbashkët: Të luftohet korrupsioni në administratë e pabarazia në tendera

Nga SCAN TV
5 dhomat kryesore të tregtisë, Qeverisë: Përmirëso

Pesë dhomat kryesore të tregtisë në vend i janë drejtuar Qeverisë shqiptare përmes një deklarate të përbashkët për të përmirësuar klimën e biznesit. Dhoma amerikane, Gjermane, Italiane, Franceze si dhe  Confindustria Albania kanë vënë theksin te nevoja për të luftuar korrupsionin e ryshfetet në administratë, pabarzinë në tendera, deri te sistemi fiskal e ngritja e një Këshilli të ri Ekonomik Kombëtar vendosë në mënyrë të veçantë në fokus investimet e huaja

Pesë nga dhomat kryesore të tregtisë në Shqipëri, i kanë kërkuar Qeverisë të marrë masa për të përmirësuar klimën e biznesit në vend, duke e konsideruar atë joefektive e me probleme sa i përket ccështjeve kycce si luftën kudër korrupsionit, ryshfeteve apo barazisë në tendera.

Përmes një deklarate të pëbashkët, Dhoma Amerikane e Tregtisë në Shqipëri (AmCham), Dhoma Gjermane e Tregtisë (DIHA), Dhoma Italiane e Tregtisë, Confindustria Albania dhe Dhoma Franceze e Tregtisë, janë bashkuar në qëndrimin e tyre mbi gjendjen e mjedisit të biznesit në Shqipëri. Ne jemi të vetëdijshëm për potencialin e vendit për biznes dhe investime të huaja, për shkak të vendndodhjes strategjike, burimeve natyrore dhe fuqisë punëtore të talentuar, thekson deklarata.

Megjithatë, anëtarët tanë vijojnë ta rendisin klimën e biznesit si një nga tri sfidat kryesore të sipërmarrjes në Shqipëri dhe ne besojmë se mjedisi aktual është joefektiv dhe ka nevojë për përmirësim të konsiderueshëm. Si një vend aspirant për anëtarësimin në BE, vazhdon deklarata e dhomave të huaja, ne i bëjmë thirrje Qeverisë Shqiptare, Parlamentit dhe Agjencive të tjera publike përgjegjëse që të angazhohen me reforma gjithëpërfshirëse ekonomike dhe investimesh në fushat e mëposhtme:

  • Së pari: Miratimi i një Strategjie Investimi, udhëhequr nga nivelet më të larta të Qeverisë, e cila të përfshijë reduktimin e ndjeshëm të pengesave burokratike, miratimin e një sistemi të bazuar në rregulla për lëshimin e lejeve dhe ngritjen e një sistemi nxitës incentivash të bazuar mbi shumën e investimeve dhe krijimin e vendeve të reja të punës.
  • Së dyti: Zbatimi i një pakete me qëllim luftën Kundër-Korrupsionit që forcon përputhshmërinë e masave kundër ryshfetit me standardet e OECD-së dhe që siguron transparencë në veprimtarinë e agjencive publike. Kjo do të rriste ndjeshëm besimin e komunitetit të biznesit në përgjithësi dhe veçanërisht të kompanive të huaja që investojnë në Shqipëri.
  • Së treti: Rritja e efikasitetit dhe besueshmërisë të sistemit të Prokurimit Publik, duke miratuar Standardet e të Dhënave të Hapura të Kontraktimit (Open Contracting Data Standards) në proceset e prokurimeve, duke eliminuar “përjashtimet e veçanta” nga prokurimi i fondeve publike dhe duke ju dhënë gazetarëve dhe shoqërisë civile më shumë akses në dosjet dhe të dhënat mbi procesin e prokurimeve.
  • Së katëri: Krijimi i një procesi efektiv Konsultimi Publik, duke ngritur mekanizma zbatimi në legjislacionin ekzistues dhe duke përfshirë në këtë proces edhe Vendimet e Këshillit të Ministrave. Procesi duhet të sigurojë transparencë dhe përfshirje të qytetarëve si edhe të grupeve të interesit.
  • Së pesti: Modernizimi i Sistemit të Taksave për t’u përputhur me standardet ndërkombëtare të kontabilitetit (IFRS), për të reduktuar paqëndrueshmërinë me anë të prezantimit të ligjeve të reja tatimore jo më shpesh se çdo 4 vjet dhe luftës kundër informalitetit në ekonomi. Kjo do të krijojë një regjim taksimi më të parashikueshëm dhe më të qëndrueshëm, për të tërhequr investimet e huaja dhe ato vendase.
  • Dhe së gjashti: Na inkurajon aktivizimi i mundshëm i një Këshilli të ri Ekonomik Kombëtar (KEK) dhe sugjerojmë që ai të vendosë në mënyrë të veçantë në fokus investimet e huaja të drejtpërdrejta dhe aktiviteti i tij të përcaktohet në legjislacion, si një institucion zyrtar nëpërmjet një mekanizmi të përbashkët të administrimit publik dhe sektorit privat. KEK-u mund të shërbejë si platformë për dialog dhe bashkëpunim midis sektorëve publik dhe privat, për nxitjen e zhvillimit ekonomik dhe për krijimin e një klime më të favorshme investimesh.

Lorenc Rabeta / SCAN

Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat