Shqipëria Postuar më 5 Dhjetor 2023, 14:31

351 hotele të reja nga 2017, i përballojnë dot flukset e turizmit? - Sfidat e hotelerisë/ Në shtator, 70% më shumë vizitorë. 93,3% në bregdet nga 2022

Nga SCAN TV

Ndërsa numrat e turizmit vijojnë të jenë shumë të larta edhe në vjeshtë, pikëpyetja e madhe për sezonet e ardhëshme është nëse strukturat akomoduese do të jenë në gjendje t’i përballojnë flukset e shtuara. A po ndërtohen dhe a janë ndërtuar këto vite mjaftueshëm hotele për të përballuar realitetin e ri të sektorit të turizmit në vend. Scan Televizion ka zbardhur numrin e lejeve të ndërtimit dhe sipërfaqet përkatëse të miratuara për hotele që nga viti 2017. Nga viti 2017, deri në tremujorin e tretë të vitit aktual, rezultojnë në total 351 leje të miratuara në zërin Hotele dhe akomodime të ngjashme, ku përfshihen hotele, resorte hoteliere (kompleks turistik), hotel suita / apartamente, motele.

Duhet nënvizuar se pjesa më e madhe e tyre janë dhënë në vitet 2017 deri në 2019. Në vitin 2022, numri i lejeve për hotele rezulton 51. Ndërkohë që për nëntëmujorin e vitit aktual, kur është shënuar edhe bumi më i madh i sektorit të turizmit, janë dhënë 49 leje të reja. Sipërfaqja totale e lejeve për hotele e dhënë nga viti 2017 është 1.1 milionë letra katrorë, prej të cilave vetëm 71 mijë metra katrorë janë miratuar këtë vit.

Por cili është kapaciteti aktual i sektorit të hotelerisë për të akomoduar turistët. Në shtator të këtij viti është regjistruar një numër total prej 193.897 vizitorësh, në rritje me 70,1 %, krahasuar me Shtator 2022. Në Zonat Bregdetare ky tregues është rritur me 93,3 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të mëparshëm. Rritje të ngjashme ka shënuar edhe numri i netëqëndrimeve. Gjatë muajit Shtator 2023, numri i netë qëndrimeve gjithsej është rritur me 87,8 %, në krahasim me muajin Shtator 2022.

Numri i netë qëndrimeve të vizitorëve jo-rezident të cilët janë akomoduar në Rajonin e Veriut ka shënuar rritjen më të lartë me 3 herë. Në Zonat Bregdetare ky tregues është rritur me 80,7 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të mëparshëm. Numri i netë qëndrimeve të vizitorëve jo-rezident të cilët janë akomoduar në “Hotele dhe akomodime të ngjashme” ka shënuar rritje me 76,1 %.

Ndërkohë që tregues edhe më domethnës është norma neto e shfrytëzimit, të dhomave dhe të shtretërve, dy tregues të cilët masin përqindjen e shfrytëzimit të kapaciteteve akomoduese, dhoma e shtretër të disponueshëm për vizitorë.

Gjatë muajit shtator të këtij viti, norma e shfrytëzimit të dhomave të “Hoteleve dhe akomodimeve të ngjashme” është 32,4 %, kundrejt 23,0 % që ishte në muajin Shtator 2022. Norma e shfrytëzimit të shtretërve të “Hoteleve dhe akomodimeve të ngjashme” është 37,0 %, kundrejt 22,9 % që ishte në muajin Shtator 2022.

Një vlerësim i thjeshtë mes numrit të lejeve të dhëna dhe flukseve të turistëve, tregon se numri i lejeve të dhëna dy vitet e fundit vjen në rënie, ndërkohë që flukset dhe netët e qëndrimit kanë shënuar rritje shumë të fortë.

Lorenc Rabeta/SCAN

Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat