Europa Postuar më 22 Maj 2023, 11:55

Turqia po ‘djeg’ rezervat valutore - Banka e Turqisë në mbështetje të lirës deri në zgjedhjet e rradhës

Nga SCAN TV
Turqia po ‘djeg’ rezervat valutore - Banka e Turqisë në

Banka e Turqisë përdor arsenalin e saj të plotë të masave jokonvencionale për të mbështetur lirën turke, në një kohë që raundi i dytë i zgjedhjeve presidenciale është vetëm pak ditë larg. Që nga e diela e kaluar dhe avantazhi në rezultate i Erdogan, dhe me sa duket me urdhër të vetë presidentit turk, banka qendrore ka bombarduar bankat e Turqisë me një breshëri rregullash dhe rregulloresh të reja. Të gjitha ato synojnë vetëm dekurajimin e kërkesës për dollarë dhe parandalimin e zhvlerësimit të mëtejshëm të monedhës turke.

Sipas burimeve që preferojnë anonimitetin kur flasin për mediat ndërkombëtare, në axhendën e presidentit turk janë edhe masa të tjera me të cilat ai do të tentojë të bindë njerëzit që të mos i drejtohen dollarit dhe të mbajnë depozitat e tyre në monedhën turke.

Të mërkurën e kaluar, Banka e Turqisë reduktoi kufirin ditor të blerjes së këmbimit valutor që u lejon bankave vendase të tërheqin nga tregu ndërbankar. Sipas burimeve që folën për Bloomberg në kushte anonimiteti, banka qendrore u bëri thirrje bankave të konvertojnë llogaritë e bizneseve turke nga çdo monedhë e fortë në lira turke, përveç atyre që duhet të bëjnë pagesa të menjëhershme. Një rregullore tjetër u imponon bankave një objektiv shtesë për përqindjen e fondeve të klientëve të tyre që duhet të konvertojnë nga çdo monedhë e fortë në lirën vendase. Në rast se nuk respektojnë rregulloret e reja, alternativa që u ofron banka qendrore bankave të vendit është blerja e obligacioneve të qeverisë turke që kanë një yield të ulët.

Gjithashtu, një masë tjetër e vendosur gjatë javës është kufizimi i përdorimit të kartave të kreditit për tërheqje cash si dhe blerje ari nga klientët e bankave. Banka qendrore do të gjobisë bankat kur klientët e tyre përdorin kartat e tyre të kreditit për tërheqje mbi këtë kufi ose blejnë ar mbi një nivel të caktuar.

Sipas ekspertëve vendas kjo stuhi rregullash të reja të vendosura nga banka qendrore do të çojë në një rritje të depozitave në monedhën turke. Në të njëjtën kohë, kjo do të çojë në një rënie të yield-eve të obligacioneve të qeverisë turke. Gjatë dy ditëve të fundit, yield-et e obligacioneve turke janë rritur më shumë se 10% në terma dollarë, hera e parë që ata janë kthyer në dyshifrorë që nga tetori. Sa i përket lirës turke, ajo tashmë është zhvlerësuar me 1% të tjera kundrejt dollarit që nga raundi i parë i zgjedhjeve presidenciale.

Sipas vlerësimeve të Goldman Sachs, rezervat valutore të bankës qendrore janë në territor negativ dhe veçanërisht ato janë afër -73 miliardë dollarë nëse merren parasysh këmbimet valutore me bankat e vendit dhe me bankat e tjera qendrore. Siç thekson Goldman Sachs, ky nivel është "nën çdo precedent në periudha të tjera të luhatshmërisë së monedhës".

Dorina Kurtaj / SCAN

Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat