Europa Postuar më 14 Gusht 2024, 15:03

Temperaturat e larta në Evropë - Greqia me shkallën më të lartë të vdekjeve nga nxehtësia

Nga SCAN TV
Temperaturat e larta në Evropë - Greqia me shkallën më

Kristi Ceta/SCAN

 

Temperaturat e larta kontribuan në më shumë se 47,000 vdekje në Evropë në vitin 2023, sipas një studimi të ri që sugjeron se numri i vdekjeve do të kishte qenë edhe më i lartë pa masat zbutëse të vendosura që nga fundi i shekullit.

Viti i kaluar ishte viti më i nxehtë i regjistruar globalisht dhe ndër vitet më të ngrohta në Evropë, që do të thotë se miliona njerëz u prekën nga valët ekstreme të të nxehtit, përmbytjet dhe temperaturat e larta.

Moti i nxehtë mund të shkaktojë urgjenca mjekësore si goditja e nxehtësisë, të rrisë rrezikun që disa sëmundje infektive të përhapen dhe të përkeqësojë gjendjet kronike si sëmundjet e zemrës, diabeti dhe astma.

Vitin e kaluar, rreth 47,690 njerëz vdiqën nga shkaqe të lidhura me nxehtësinë, më pak se afërsisht 60,000 në 2022, por një numër më i lartë se çdo vit tjetër që nga 2015, sipas studimit të botuar në revistën Nature Medicine.

Studiuesit besojnë se numri i vdekjeve do të kishte qenë 80 për qind më i lartë në vitin 2023, nëse qeveritë nuk do të kishin ndërmarrë hapa për t'iu përshtatur ndryshimeve klimatike që nga fillimi i viteve 2000 e tutje.

Shumica e ndryshimeve erdhën pas vitit 2003, kur një verë e zjarrtë çoi në më shumë se 70,000 vdekje dhe bëri që shumë vende evropiane të nisin sistemet e paralajmërimit të hershëm dhe planet për parandalimin e nxehtësisë.

Disa hapa për të ndihmuar njerëzit gjatë valëve të të nxehtit përfshijnë përmirësimin e hidratimit, temperaturat më të ftohta të ambienteve të brendshme, si dhe masa më të gjera të politikave si planifikimi i qytetit duke u orientuar nga klima dhe përpjekjet për të frenuar emetimet e gazeve serrë.

Studiuesit krahasuan të dhënat e vdekjeve me shifrat javore të temperaturës dhe vlerësuan se sa nga ato vdekje ishin rezultat i nxehtësisë.

Në studim, Greqia pa shkallën më të lartë të vdekshmërisë nga nxehtësia në vitin 2023, me 393 vdekje për 1 milion, e ndjekur nga Bullgaria (229), Italia (209), Spanja (175), Qiproja (167) dhe Portugalia (136).

Të dhënat vijnë ndërsa autoritetet greke luftojnë me zjarret pranë Athinës që kanë detyruar spitalet dhe zonat e banuara të evakuohen. Qershori dhe korriku ishin muajt më të nxehtë të regjistruar në Greqi.

Live TV

Të fundit
30 Nëntor

...

Të gjitha lajmet

Më të vizituarat

30 Nëntor

...