Europa Postuar më 13 Dhjetor 2022, 12:42

Tarifë kufitare për karbonin në BE - Skema e parë në botë për mbështetjen e industrive europiane

Nga SCAN TV
Tarifë kufitare për karbonin në BE - Skema e parë në

Pas negociatave të gjata, Bashkimi Europian arriti një marrëveshje për të vendosur një tarifë të emetimeve të dioksidit të karbonit në importet e mallrave ndotëse si çeliku dhe çimento. Kjo është skema e parë në botë që synon të mbështesë industritë europiane teksa ato përpiqen të shkëputen plotësisht nga karboni.

Negociatorët nga vendet e Bashkimit Europian dhe Parlamenti Europian arritën një marrëveshje në orët e para të së martës në Bruksel, mbi ligjin për të vendosur kostot e emetimeve të Co2 në importet e hekurit, celikut, cimentos, plehrave, aluminit dhe energjisë elektrike.

Kompanive që importojnë këto mallra në BE do t’u kërkohet të blejnë certifikata për të mbuluar emetimet e tyre të Co2. Skema është krijuar në mënyrë të atillë për të lejuar aplikimin e të njëjtës kosto CO2 për firmat e huaja dhe industritë vendase të BE-së. Këtyre të fundit tashmë u kërkohet që të blejnë lejen e tregut të karbonit të BE-së ku ato ndosin.

Mohammed Chahim, negociatori kryesor i Parlamentit europian për ligjin, u shpreh se taksa kufitare do të ishte vendimtare për përpjekjet e BE-së në luftën kundër ndryshimeve klimatike. Ai shtoi se ky është nga mekanizmat e vetëm në dispozcion për të nxitur partnerët tregtar për dekarbonizimin e industrisë së tyre prodhuese.

Qëllimi i kësaj takse është të parandalojë që industria europiane të nënvlerësohet nga mallrat më të lira të prodhuara në vende me rregulla me të dobëta mjedisore. Ajo do të zbatohet gjithashtu dhe për hidrogjenin e importuar që nuk ishte në propozimin fillestar të BE-së, por që ligjvënësit e BE-së e kërkuan në negociata. Disa detaje mbi ligjin, duke përfshirë datën e fillimit të tij, do të përcaktohen më vonë në negociatat lidhur me një reformë të tregut të karbonit të BE.

Aktualisht, BE-ja i jep industrisë vendase leje CO2 falas për t'i mbrojtur nga konkurrenca e huaj, por planifikon t'i heqë gradualisht këto leje kur tarifa kufitare e karbonit të hyjë në fuqi, në përputhje me rregullat e Organizatës Botërore të Tregtisë. Brukseli ka thënë se disa vende mund të përjashtohen nga kjo taksë nëse kanë politika të barazvlefshme për ndryshimet klimatike me BE-në, duke sugjeruar se Shtetet e Bashkuara të Amerikës mund të shmangin taksën mbi këtë bazë.

Megjithatë, plani i BE-së ka shkaktuar kritika nga vende të ndryshme, përfshirë Kinën, dhe vjen në një moment tensioni me Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbi subvencionet e Aktit të Reduktimit të Inflacionit për teknologjitë e gjelbra, të cilat BE-ja ka thënë se mund të dëmtojë firmat europiane.

Tarifa është pjesë e një pakete politikash të BE-së të krijuara për të ndihmuar botën të shmangë ndryshimet katastrofike klimatike duke ulur emetimet e CO2 në BE me 55% deri në vitin 2030 nga nivelet e vitit 1990.

Dorina Kurtaj / SCAN

 

Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat