Bota Postuar më 15 Mars 2023, 09:28

Stabilizohet tregu i monedhave - Fokusi rikthehet te shtrëngimi i politikave monetare nga FED

Nga SCAN TV
Stabilizohet tregu i monedhave - Fokusi rikthehet te shtrëngimi i

Dollari amerikan ka gjetur një mbështetje të lehtë në sesionin e sotëm, pasi vëmendja e investitorëve është rikthyer sërish te shtrëngimi i politikave monetare nga Rezerva Federale. Gjatë sesionit aziatik, sektori bankar iu rikthye rritjes, ndërsa edhe interesat e bonove dhe obligacioneve u stabilizuan.

Analistët vlerësojnë tashmë se ka 80% mundësi që Rezerva Federale të rrisë me 25 pikë bazë, normën e interesit në takimin e javës së ardhshme. Referuar të dhënave në SHBA, rezultoi se indeksi i çmimeve konsumatore u rrit me 0.4% me bazë mujore dhe me 6% me bazë vjetore, gjatë shkurtit, në ngadalësim krahasuar me të dhënat e janarit dhe në linjë me parashikimet e analistëve.

Me qetësimin e tregut të aksioneve dhe të interesave të bonove, analistët mendojnë se frika që kishte të bënte me kontaminimin e sektorit bankar amerikan, pas kolapsit të Silicon Valley Bank, tashmë është larguar. Megjithatë, euro vijon të këmbehet në nivele të larta, në rreth 1.073 dollarë.

Në tregun e kriptomonedhave, vihet re një tendencë në rritje për të tretin sesion me radhë. Bitcoin po tregtohet në mbi 25 mijë dollarë, ndërsa më herët preku edhe nivelin e 26 mijë dollarëve. Ethereum po tregtohet në rreth 1710 dollarë.

SCAN

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat